Çantat mbushur me kanabis me destinacion Maqedoninë e Veriut/ Arrestohen tre persona, mes tyre një 18-vjeçar…

Policia e Prrenjasit ka vënë në pranga tre persona, banues në Kavajë, të cilët janë përpjekur që të trafikojnë lëndë narkotike, kanabis sativa, drejtë Maqedonisë së Veriut. Në njoftimin për media bëhet e ditur se si rezultat i finalizimit të operacionit të koduar “Rrajca 2021” janë sekuestruar 11 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa, automjeti, si dhe 3 aparate celulare.


Në operacionin policor të koduar “Rrajca 2021” u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. Xh., 40 vjeç, E. P., 18 vjeç dhe E. V., 31 vjeç, banues në Kavajë. Në kuadër të këtij operacioni policor, në fshatin Rrajcë-Sutaj, bashkia Prrenjas, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit me drejtues shtetasin G. Xh. dhe pasagjerë shtetasit E. V. dhe E. P. Gjate kontrollit të këtij automjeti, në bagazh, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 çanta të mbushura me pako me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale 11 kilogramë e 500 gramë, e destinuar për t’u trafikuar në Maqedoninë e Veriut. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe automjeti, si dhe 3 aparate celulare”,njofton policia

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i narkotikeve“, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.