Kapshticë, ndalohet Turku me 17 mijë euro të padeklaruara në kufi…

Një 56-vjeçar nga Turqia është kapur në kufirin e Kapshticës me 17 mijë euro të padeklaruara, për këtë arsye nisi hetimi për të. Pas një kontrolli të imtësishëm nga policia kufitare, shoferit me iniciale S. A. të kamionit tip “Benz”, iu gjetën paratë të fshehura në xhup dhe çantë. Shuma e parave u sekuestrua nga autoritetet në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi policisë:

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në kuadër të kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm një automjet kamion tip “Benz”, me drejtues shtetasin turk S. A., 56 vjeç, banues në Adapazar, Turqi.

Gjatë kontrollit të ushtruar, 56-vjeçarit iu gjetën në çantën e dorës dhe në xhup, 17.000 euro të padeklaruara.

Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, të cilët referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për hetime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.