10 shoferë kamionësh nga Egjipti do vijnë të punojnë në Shqipëri; Operatorët nga muaji mars do rrisin edhe tarifat

Një tjetër sektor, që pritet të zgjidhë mungesën e fuqisë punëtore me marrjen e punonjësve të huaj, është ai i transportit të mallrave të importit. Së shpejti 10 shoferë kamionësh me eksperiencë të ngjashme nga Egjipti pritet të vijnë në Shqipëri. Rudolf Xhillari administratori i kompanisë së transportit të mallrave “Balkan Trans Albania” tha për Monitor se aktualisht ka një mungesë së theksuar të drejtuesve të kamionëve.

Për shkak të kësaj problematike që për 2023 ka nisur të thellohet, kompania “Balkan Trans Albania” ka aplikuar pranë një agjencie punësimesh për marrjen e 10 shoferëve të kamionëve nga Egjipti. “Problematika e fuqisë punëtorë është thelluar këtë vit. 25 deri 30% e mjeteve qëndrojnë pa punë, pasi mungojnë drejtuesit e kamionëve. Ndërsa kërkesa për transport mallrash është e lartë, por nuk arrihet të plotësohet për shkak të kësaj problematike. Punonjësit mungojnë pasi kanë emigruar drejt Europës, kryesisht për në Gjermani. Pavarësisht se kemi rritur pagat, janë larguar. Aplikimet për marrjen e shoferëve nga Egjipti po shihet si zgjidhje, për të mos lëne më kamionët pa punë që transportojnë mallrat e porositura nga importi”.

Xhillari pohon se paga minimale e drejtuesve të kamionëve në Shqipëri varion nga 500 deri në 600 euro, ndërsa maksimalja nis nga 1,000-1,500 deri 2,000 euro. Rrogat për drejtuesit e kamionëve në Europë nisin nga 2,000 euro.

“Duke u plotësuar akomodimin dhe ushqimin parashikojmë që kostot e pagesave për shoferët egjiptianë te jenë në nivelin e vendasve. Presim që rendimenti në punë i tyre të jetë më i lartë se vendasit. Gjithashtu kërkojmë nga institucionet shtetërore lehtësimin e proceduarave të kontratave të punësimit nëpërmjet të parashikuar nëpërmjet Kodit të Punës”, shton Xhillari.

Por mungesa e fuqisë punëtore pritet të sjellë shtrenjtim të tarifave të transportit nga marsi 2023. Rritja e tarifave do të vijë 1 vit pas stabilizimit të tyre nga pandemia. Një tjetër operator nënvizon se arsyeja që çmimet do të ndryshojnë është mungesa e fuqisë punëtore, kryesisht shoferëve të kamionëve që largohen drejt Gjermanisë.

“Për ne transportuesit problemi kryesor aktualisht janë burimet njerëzore. Nuk kemi drejtues kamionësh, pasi janë larguar në emigracion, kryesisht Gjermani dhe vazhdojnë të largohen. Shumë mjete rrinë pa drejtues. Është një problem i përgjithshëm./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: