Një ngjarje e rëndë e ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Zvezdë të Maliqit ka marrë një rrjedhë krejt tjetër nga ajo që u raportua në fillim, ku dyshimet kryesore kishin të bënin me një vdekje aksidentale. Së fundmi mësohet se është arrestuar Shefki Bylykbashi, si autori i vrasjes së djalit të tij, Hamdi Bylykbashi. Pas hetimeve të policisë, është zbuluar se 50-vjeçari është konfliktuar në banesë me babanë e tij, të cilin mësohet se ka dashur ta hedhë në pusin në oborrin para shtëpisë.
Në kushtet e vetëmbrojtjes, raportohet se i moshuari ka rrëmbyer një çekiç, që përdorej për të thyer gurët dhe e ka goditur disa herë në kokë djalin e tij, duke e lënë të vdekur në vend. Gjatë muajve të fundit, babë e bir kishin pasur sherre të vazhdueshme. Shkak i kësaj situatë ishte fakti se Hamdiu pinte shumë alkool gjatë muajve të fundit, pasi kishte kaluar në depresion prej divorcit me bashkëshorten e tij. Viktima ishte emigrant në Francë dhe ishte kthyer në vendlindje vetëm muajt e fundit, pas ndarjes me gruan.
Njoftimi i Policisë: Maliq/ U raportua fillimisht si ngjarje aksidentale, por pas hetimeve të thelluara nga grupi hetimor zbardhet ngjarja e ndodhur pasditen e djeshme, në fshatin Zvezdë, ku humbi jetën 50-vjeçari H. B. Vihet në pranga babai i viktimës, autor i dyshuar i vrasjes (me sende të forta) të djalit të tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pasditen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Korçës, ishte sjellë i pajetë shtetasi H. B., 50 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq, menjëherë kanë shkuar në spital dhe në vendngjarje, me qëllim verifikimin e rastit.
Fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se 50-vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë.
Nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se pasditen e djeshme, 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babain Sh. B., 77 vjeç, të cilin ka dashur t’a hedhë në pusin e ujit në oborr. Më pas 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me mjete të forta (çekiç që përdoret për të thyer gurë), ku si pasojë e dëmtimit të rëndë, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës. Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. B., 77 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.