Breshëri plumbash janë derdhur pak pas mesnate ndaj godinës së televizionit kombëtar Top Channel. Autorët raportohet se kanë qenë me një mjet “Range Rover” dhe kanë qëlluar me kallashnikov nga rruga drejt godinës së televizionit. Për pasojë, ka mbetu i vdekur roja i sigurisë, Pal Kola, i cili ndodhej kabinën e tij.
60 vjeçari ishte në rrethimin e brendshëm të Top Channel, duke u ngrohur, por fatkeqësisht plumbat i kanë marrë jetë. Autorët e sulmit të paprecedent ndaj medias dhe shkaqet nuk dihen ende, por nga drejtuesit më të lartë të shtetit, politika, krerët e institucioneve dhe njerëzit e medias, është cilësuar si një “Akt terrorist” dhe goditje ndaj lirisë së fjalës.
Më poshtë, janë disa pamje të plumbave, shenjat që breshëria e tyre ka lënë pas. Hekurat e rrethimit të jashtëm dhe vetratat e xhamit janë mbushur me plumba, të cilat janë shënjuar nga grupi i hetimit në kuadër të hetimeve që po kryhen për zbardhjen e plotë të sulmit.




