Do të licencohen deri 10 kompani në të gjithë vendin. Në të gjithë Shqipërinë do të jepen jo më shumë se 10 licenca kombëtarë për ushtrimin e aktiviteteve të basteve online. Kjo është parashikuar në projektligjin e hartuar nga qeveria që i rikthen zyrtarisht pas vitesh mbyllje bastet sportive në Shqipëri.
Për t’u licencuar kompanitë duhet të kenë jo më pak se 20 milionë lekë. Firmat duhet të përmbushin kushtin e të pasurit eksperiencë së paku tre vite në tre vende europiane.Për krijimin e garancive për fituesit e lojërave të fatit, Bastet sportive online do jetë të detyruar të ngurtësojnë në një llogari të veçantë bankare një fond prej 120 000 000 lekësh.
“Ky fond shërben për mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit.”
Draftligji përcakton se kompanive do t’u mbahet çdo vit 15 përqind e të ardhurave. Të ardhurat do administrohen nga një bord i posaçëm, ku pjesëmarrës janë përfaqësues nga qeveria, Kryetari i Federatës Kombëtare të Futbollit dhe Kryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar.Kryeministri Edi Rama, disa ditë më parë tha se nisma është një hap i rëndësishëm për të formalizuar këtë aktivitet bastesh, që sikurse theksoi ai është informal dhe favorizon paranë e zezë. Në katër vite janë konstatuar 4035 adresa bastesh të paligjshme, për pasojë u gjobiten dhe proceduan penalisht 135 subjekte dhe individë./ Tv Klan
