Skënderbeu vijon të jetë aktiv në merkato dhe pas katër afrimeve zyrtare duket se korçarët janë shumë pranë zyrtarizimit të radhës. Pas portierit Marko Alia, mbrojtësve Markos Ramos dhe Klevis Shaqe si dhe sulmuesit të Strugës, Suhejli Muharem, bardhekuqtë po finalizojnë afrimin e radhës tashmë në mesin e fushës. Bëhet fjalë pikërisht për një tjetër lojtar si Marko Alia luan në kampionatin italian Serie C, por është në pronësi të klubit të Veronës.
Për momentin burimet tregojnë se mes palëve është arritur një akord paraprak, ndërsa emri i lojtarit ende nuk bëhet me dije për arsye tratativash. “Panorama Sport” ka mundur të mësojë nga burimet pranë klubit, se ganezi në fjalë luan si mesfushor para mbrojtjes, pra në pozicionin e ekranit, por mund të aktivizohet lirshëm edhe si qendër-mesfushor apo një “meza-alla” për t’u kthyer kështu në një xhol për Ivan Gozdenoviçin.
Pritet që në ditët në vijim bardhekuqtë të mbyllin tratativën me lojtarin në fjalë dhe më pas të bëhet zyrtarizimi. Së bashku me mesfushorin nga Gana pritet që edhe Ermir Rashica nga radhët e Trepçës të bashkohet me Skënderbeun, duke u bërë kështu lojtari i gjashtë që bardhekuqtë afrojnë në këtë merkato vere.
SULMUESI – Edhe pse janë pranë gjashtë afrimeve të para në këtë merkato, korçarët duket se vuajnë për të gjetur dhe plotësuar vijën e sulmit. Me Muharemin si një lojtar krahu dhe me Temitopen si një lojtar që gjithnjë e më shumë po shkon larg Skënderbeut duke lënë pezull rinovimin, maja e ofensivës është gjithnjë e më bosh.
Kjo duket se do të sjellë intensifikimin e tratativave për disa lojtarë që do të duhet të mbulojnë këtë repart, i cili ka mbetur i përgjysmuar. Burimet e gazetës tregojnë se korçarët janë duke punuar në tri-katër pista të mundshme për të gjetur goleadorin dhe pikën e referimin në repartin e avancuar.
Për momentin bardhekuqtë kanë qenë shumë pranë disa emrave të piketuar nga Takaj dhe enturazhi i tij i merkatos, por për momentin nuk ka asnjë zyrtarizim. Të njëjtat burime tregojnë se bardhekuqtë kanë qenë fare pranë nënshkrimit me një sulmues që vinte nga liga e dytë në Francë, por vetë lojtari ka kërkuar kohë për të kthyer përgjigje, pasi ka disa oferta të tjera dhe kërkon të analizojë me qetësi secilën prej tyre./Panorama Sport


