Shqipëria në Europian/ Ja 4 kategoritë për çmimet e biletave në Gjermani…

UEFA ka mbyllur që në muajin nëntor pjesën e parë të programit të shitjes së biletave për ndeshjet e Europianit të cilat janë shpërndarë në bazë të një lotarie të veçantë që ka organizuar ajo me shitjen nëpërmjet faqes së internetit të saj, pa ditur në fakt se kush do të ishin skuadrat në duelet për të cilat blen biletat. Së shpejti nis faza e dytë e shitjes së biletave, ajo në të cilën mund të blesh për një ekip specifik që është kualifikuar në këtë turne.

Kjo fazë e dytë nis më 2 dhjetor, pasi të jetë hedhur shorti i fazës në grupe të turneut dhe të gjithë të dinë se në cilat qytete e stadiume luajnë.

UEFA do të nxjerrë në shitje biletat në bashkëpunim me federatat përkatëse, që do të thotë se do t’u delegojë atyre të drejtën e shitjes nëpërmjet portaleve të dedikuara.

Kjo nënkupton se që nga data 2 dhjetor, pasi të njihen kundërshtarët dhe stadiumet ku do të luhen tre sfidat e fazës në grupe, FSHF do të jetë ajo që do të ketë në dispozicion biletat të cilat do t’i nxjerrë më pas në shitje në një numër të caktuar për tifozët e interesuar për t’i blerë, të cilët padyshim që do të jenë të shumtë.

Çmimet janë të pandryshueshme, me katër kategori biletash ku 30 euro është më e lira. Më pas vazhdohet me 60 euro, 150 euro dhe 200 euro në fazën në grupe, ku përjashtim bën vetëm ndeshja hapëse me çmime më të larta.