Analisti Fatos Lubonja ka komentuar situatën aktuale politike në vend, duke u ndalur veçanërisht te deklaratat e bëra së fundmi nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. Sipas Lubonjës, ajo që po bëhet publike ka nxjerrë në pah problematikat e sistemit të ngritur nga qeveria dhe ka vendosur në vështirësi kryeministrin Edi Rama.
Ai u shpreh gjithashtu se Rama ka humbur legjitimitetin ndërkombëtar, ndërsa mbështetja që mund të vazhdojë të ketë nga jashtë lidhet me interesa gjeopolitike.
“Ky zullumi i madh që po del hapur, i kanë dalë zorrët jashtë këtij sistemi, padyshim që vë në vështirësi. Edhe ata që janë më të paturpshmit siç është ky e vë në vështirësi. E ka humbur legjitimimin ndërkombëtar. Kanë hall gjeopolitik ndoshta, për ta futur Shqipërinë për shkak të luftës në Ukrainë”, deklaroi Lubonja.
Analisti vlerësoi si të rëndësishme daljen në publik të informacioneve të tilla, duke argumentuar se qytetarët duhet të jenë ata që gjykojnë dhe vendosin përmes qëndrimit të tyre politik.
“Shumë mirë që dalin këto gjëra, sepse janë shqiptarët që vendosin. Ky zgjedhjet mund t’i kontrollojë, por protesta dhe këto informacione që ka dhënë ky (Ahmetaj) e ka bërë detyrën”, tha ai.
Lubonja deklaroi se në një sistem demokratik funksional, sipas tij, Rama do të kishte humbur thuajse të gjithë mbështetjen elektorale. Ai akuzoi kryeministrin se ka ndërtuar një sistem që kontrollon dhe manipulon votën.
“Ka mbaruar historia, se nuk të voton më njëri, shkon te 2% po të ishe demokraci me këto që i kanë dalë këtij. Por ky ka ndërtuar një sistem që të vjedh votën dhe të manipulon votën. Këtu vijmë te rrethi vicioz, si t’ia bëjmë?!”, u shpreh Lubonja.
Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se situata ka arritur në një pikë ku problemet e sistemit po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
“Por gjithsesi është ajo ideja që kur bëhet zullumi, zullumi këputet duke u trashur, është trashur shumë”,përfundoi Lubonja për “News 24”.
