Arti në zi/ Shuhet në moshën 74-vjeçare tenori Korçar ,Gjergj Sulioti

Artisti i njohur, tenori Gjergj Sulioti ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare. Gjergj Sulioti lindi në Korçë në 29 gusht 1950 në një familje me tradita në kulturën muzikore. Babai i tij, Piro Sulioti ishte këngëtar lirik dhe solist në operetën “Agimi” të Kristo Konos, e cila është opereta e parë shqiptare, ndërsa nëna e tij ishte aktore amatore pranë teatrit “A. Z. Çajupi”.

Pasi kreu shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi” në Korçë, në vitin 1966 mori pjesë në festivalin e këngës të Radio Korça, ku fitoi çmimin e parë me një kengë të Sotiraq Vangjelit, duke i lënë babait të tij çmimin e dytë me nje këngë të Pavllo Shollës.

Në vitin 1973 vazhdoi studimet e larta në degën e kantos në Akademinë e Arteve dhe në 1978 u emërua solist në TOB.

Kur ishte ende student debutoi në Festivalin e 14 të Këngës në RTSH me këngën “Rini, flamur i zjarrtë”. Gjergj Sulioti vazhdoi pjesëmarrjen në Festivale duke interpretuar këngë të krijuesve të njohur, si Çesk Zadeja, Tish Daija, Lefter Çipa, Avni Mula, Agim Krajka, Pjetër Gaci, Ferdinand Deda, Agim Prodani, Luan Zhegu, Zhuliana Jorganxhi, Spartak Tili etj si “Zëri i nënave”,

“Përherë me këngë”, “Veteranëve”, “Të fortë e kemi Shqipërinë”, “Rritesh nëpër vite”, etj.

Që nga fundi i viteve 70, Gjergji shkëlqen edhe në Koncertet e Majit apo Anketat e Radio Tiranës, dhe në shumicën e rasteve u vlerësua me çmime. Kujtojmë “Këngët e trimërisë”, “Bashkë dolëm partizane”, “Këngë për Asim Vokshin”, “Në rininë e tij babai”, “Nënë e dashur”, “Mesuesi i parë”, “Pema e brezave” etj.

Pasi mori pjesë me sukses në operetat “Celula e kuqe” dhe ‘’Karnavalet’’, Gjergji Suljoti ishte një nga tenorët në zë të Teatrit të Operas dhe Baletit, dhe ka interpretuar rolet kryesore në operat “Lulja e kujtimit’’, “Berberi i Seviljes”, “Goca e Kaçanikut”, “Vjosa”, “Traviata”, “Skënderbeu”, “Borana”, ‘’Zgjimi’’, “Nëna e trimave”, “Toska”, “Liceistet”, “Otello”, “Palaçot” “Karmen”, “Trovatore”, “Rigoleto”, “Toska” etj.

Gjergj Sulioti ka interpretuar edhe jashtë vendit si Finlandë, Danimarkë, Gjermani, Norvegji, Suedi, Hollandë, Greqi, Itali, Francë, Turqi, Qipro, Maqedoni të Veriut, Bullgari, Rumani. Ai ka qënë nga tenorët e parë të brezit të tij që ka interpretuar kryevepra të repertorit botëror operistik të plota në gjuhë të ndryshme në Shqipëri, Itali, Greqi, Maqedoni të Veriut e Turqi.

Gjatë vitit 1995 ka marrë pjesë me trupën e operas “Toska” në një Festival Ballkanik në Greqi dhe më pas në Itali me operën “Rigoleto”, ku është dalluar me çmimin e parë, në të dy festivalet si tenori më i mirë.

Në vitin 2008, Gjergj Sulioti ka zëvendësuar babanë e tij në korin “Lira”, dhe mban rekordin si solisti më jetëgjatë deri më sot në historinë e Korit. Ka incizuar gjithashtu mjaft këngë karakteristike korçare dhe serenata si “Korça qyteti që nuk vdes”, “O Korçë e dashur”, “Vashë ëngjëllore”, “Jorgjica” etj. Më 27 dhjetor 2022 prezantoi këngën e fundit “Vdekja e Nositit” me tekst të Lasgush Poradecit, dedikuar qytetit të Pogradecit.

Gjergj Sulioti ka qenë mësues kantoje dhe Drejtor i Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Mihal Grameno” ku përgatiti shumë talente. Gjergj Sulioti mban titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe është propozuar 2 herë për titullin “Mjeshtër i Madh”.
Për një artist të tillë shumëdimensional dhe për kontributin që i ka dhënë muzikës, qyteti që e lindi dhe gjithë Shqipëria ka vlerësim të madh, mirënjohje dhe respekt.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.