Dhunuan me shkopinj dhe leva hekuri 30-vjeçarin në Korçë, vetëdorëzohen 4 autorët

Janë dorëzuar në polici, 4 autorët e dyshuar që akuzohen se dhunuan me shkopinj dhe leva hekuri të riun në Korçë. Bëhet fjalë për shtetasit: Spartak Selimi, Kristi Selimi, Marsel Xhakollari dhe Erion Gura, të cilët dhunuan Ramadan Hasanin. Ngjarja e rëndë ndodhi me 22 mars ne qytetin e Korçës, ku disa të rinj janë konfliktuar me njëri tjetrin me shkopinj. Policia thotë se 4 personat kanë dhunuar një 30-vjeçar, që siç shihet edhe nga pamjet e kanë goditur dhunshëm me sende të forta.

Arratia e 4 autorëve zgjati 3 ditë, dhe në pamundësi për të qëndruar akoma të fshehur, ata janë vetëdorëzuar në komisariatin e policisë së Korçës.

Në vijim të veprimeve procedurale të kryera, për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 22.03.2024, në lagjen nr. 16, Korçë, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 4 autorëve të dyshuar të saj, pas kontrolleve të shumta dhe falë negociatave të kryera nga forcat e Policisë me familjarët e tyre, këta shtetas u vetëdorëzuan në ambientet e Policisë.

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Personit të DVP Korçë, u ndaluan me iniciativë shtetasit në kërkim S. S., 32 vjeç, K. S., 31 vjeç, M. Xh., 40 vjeç dhe E. G., 49 vjeç, banues në Korçë.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në një lavazh, për motive të dobëta dyshohet se tentuan të vrisnin me mjete të forta shtetasin R. H., 30 vjeç, banues në Korçë, i cili ndodhet për mjekim në spital.

Konflikti mes tyre, ka ndodhur pasi më datë 14.02.2024, shtetasi R. H., së bashku me vëllain e tij, kanë plagosur lehtë dhe i kanë dëmtuar automjetin, 32-vjeçarit S. S. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim njofton policia.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.