Kalimi në pikën kufitare në Greqi është rikthyer në normalitet. Shërbimi ka nisur punë normalisht sot, pas një greve të zhvilluar për 48 orë nga ana e Sindikatave Doganore në doganën e Kapshticës, Kakavijës, Tre Urave dhe Qafë Botë. Gjatë kohës që shërbimi nuk ofrohej, për mjetet e vogla, autobusët si dhe kamionët, u lejuan të kalojnë vetëm këmbësorët si dhe mjetet e emergjencës.
Për shkak se puna në pikat kufitare ka qenë e pezulluar gjatë ditëve të fundit, pritet që në orët në vijim të ketë një fluks të shtuar të lëvizjeve nga të dyja krahët.
Kujtojmë që një ditë më parë dhjetra kamionë janë parkuar pranë pikave kufitare për të kaluar prej orëve të para të mëngjesit drejt shtetit grek.
Policia dhe Ministria e Jashtme bënë të ditur dy ditë më parë se pikat e kalimit kuftiar me Greqinë do të jenë të mbyllura përgjatë dative 2 deri më 4 prill, për shkak të protestave të sindikatave në vendin fqinj.
Kjo grevë e sindikatave greke paralizoi hyrjet dhe daljet në të gjitha pikat kufitare me Greqinë.
Kalimi u ndalua nga data 2 prill deri më datë 4 prill, për mjetet e vogla, mjetet e tonazhit të rëndë (kamionët), autobusët dhe shërbimet taksi.
