Jemi ende më shumë sesa një muaj larg nisjes së Europianit, por drejt fundit të këtij sezoni, aty ku çdo javë kuqezinjtë zbresin apo jo në fushë me klubet e tyre. Shqipëria arriti një kualifikim fantastik me një grup të gjerë lojtarësh dhe synimi është që deri në fillimin e këtij turne kaq të rëndësishëm, trajneri Silvinjo të formojë një grup të shëndetshëm në të gjitha aspektet:
formë e mirë fizike dhe psikologjike e lojtarëve, sa më shumë minuta në këmbë por jo të mbingarkuar,
dublim të të gjithë pozicioneve në listën përfundimtare, jo dëmtime dhe përfshirja e futbollistëve më të mirë sipas trajnerit. Thënë kaq thjeshtë, nëse bëjmë një vlerësim të situatës aktuale, dalin në pah disa probleme, pavarësisht se futbolli ndryshon shumë shpejt dhe gjithçka mund të shkojë për mrekulli.
