Detaje të reja u zbardhën nga vrasja e shënuar mbrëmë në Itali ku viktimë ishe një 61-vjeçar shqiptar. Mediat italiane identifikuan viktimën si Ilirjan Minaj i njohur si “Lili”, i cili njihej si një person punëtor, i buzëqeshur . 61-vjeçari kishte shkuar në pallatin ku jetonte kunati i tij për t’u takuar me mbesën, por në hyrje të pallatit, italiani ka shkëmbyer një batutë fyese prë të cilin shqiptari nuk e ka duruar dhe ka goditur me shkelm derën e hyrjes
Autori ka dalë me thikë dhe e ka goditur disa herë në gjoks duke I shkaktuar vdekjen
Ilirjan Minaj kishte lindur më 29 nëntor 1962 në Korçë. Ai Jetonte në Reggio Emilia prej gati 20 vitesh me bashkëshorten Natasha dhe vajzën 19-vjeçare. Kishte vendosur të transferohej në zonën ku gjeti vdekjen, pasi aty kishte dhe të afërm të tjerë. Mes tyre edhe mbesën që kishte shkuar për të takuar, në momentin kur u vra. Merrej me punë të vogla dore dhe mirëmbante godina të ndryshme banimi. E shihje shpesh në lokal, duke biseduar me miqtë. Flisnin mbi të gjitha për sportin, që e donte shumë.
41-vjeçari Riccardo Stefani jetonte me nënën e tij të moshuar. Problemet me drogën dhe ato ekonomike i kishte të vazhdueshme dhe në të shkuarën kishte qenë shpesh protagonist i sherreve në publik. Ndaj tij kishte denoncime të shumta për grabitje nëpër dyqane të zonës, e për vandalizëm.
Hipoteza rreth ngjarjes
Minaj hyri në ndërtesë rreth orës 23:00 dhe u drejtua për nga shtëpia e mbesës. Por te sheshpushimi i shkallëve takoi Stefanin.
Të dy nisën të flisnin dhe debati u nxeh me shpejtësi. Nuk përjashtohet mundësia që ky nuk ishte debati i parë që palët kishin dhe një mëri më e hershme mund të jetë bërë shkak për përshkallëzimin e situatës. Minaj mësohet se e ndoqi Stefanin dhe goditi me forcë derën e shtëpisë së tij. Ndërsa ky i fundit u rikthye me thikën e kuzhinës në dorë dhe e goditi për vdekje. Nuk është e qartë nëse 41-vjeçari u rikthye në shtëpi për t’u fshehur, apo për t’u armatosur.
Parandalimi i hakmarjes
Menjëherë pas kësaj Stefani u mbyll në shtëpi, aty ku dhe u arrestua nga karabinierët.
Ishin këta të fundit që e shpëtuan edhe nga zemërata e familjarëve të 61-vjeçarit. Shumë prej tyre, me të marrë vesh se çfarë kishte ndodhur, shkuan në vendngjarje dhe pritën derisa 41-vjeçari të dilte për ta sulmuar. Ata madje goditën edhe makinën e karabinierëve ku u fut vrasësi. Ky i fundit akuzohet për vrasje të rëndë me dashje. Provat kundër tij janë të shumta, nga dëshmitë e fqinjëve deri te thika që iu sekuestrua në banesë.



