Nuk është thjesht një vrasje – është një deklaratë: “Vendos unë kur ti nis dhe kur përfundon”…

Nga Klarida Rrapaj:

Nuk ishte vetëm një vajzë e re. Ilaria Sula ishte një studente universitare, e regjistruar në Universitetin “La Sapienza” në Romë. E zgjuar, e angazhuar, plot jetë dhe ëndrra për të ardhmen. Ajo donte të studionte, të ndërtonte një të ardhme të pavarur, të kulturuar, të mbushur me dashuri të vërtetë. Nuk ishte e brishtë.

Ishte e fortë, e buzëqeshur dhe plot shpresë. Pikërisht për këtë arsye, vrasja e saj na trondit edhe më shumë.

Të ndalosh një jetë gruaje nuk është vetëm një akt dhune fizike – është një krim kundër asaj që ajo përfaqëson: dëshirat e saj, liria e saj, e drejta për të ekzistuar dhe për të ëndërruar. Ilaria nuk ishte një viktimë e destinuar. Ajo ishte një premtim. Një potencial. Një e ardhme.
Nga pikëpamja psikologjike, ky akt tregon një mënyrë të menduari të sëmurë dhe obsesive, tipike e personave që nuk e tolerojnë autonominë e tjetrit.

Kur një grua rritet, lulëzon dhe ndriçon, dikush që ka nevojë ta dominojë mund ta perceptojë këtë si një kërcënim të padurueshëm. Dhe shpërthen me dhunë shkatërruese.

Nga këndvështrimi viktimologjik, Ilaria ishte në një fazë të ndjeshme të jetës: kalimi drejt pavarësisë së plotë, ndërtimi i identitetit si e rritur.

Në këtë periudhë, shumë vajza të reja bien në marrëdhënie që duken të sigurta, por që fshehin kontroll, xhelozi patologjike dhe manipulim emocional.
Nga këndvështrimi kriminologjik, akti i autorit – vendosja e trupit në një valixhe, fshehja, dhe më pas tregimi i vendndodhjes – është prova e nevojës për të pasur fjalën e fundit, edhe pas vdekjes. Nuk është thjesht një vrasje – është një deklaratë: “vendos unë kur ti nis dhe kur përfundon”.

Si psikologe, kriminologe, viktimologe dhe Drejtoreshë për të Drejtat e Grave në International Police Organization, mendoj se ky rast kërkon një reflektim të thellë shoqëror: nuk mjafton të flasim për dhunën.

Duhet të veprojmë në mënyrë kulturore, arsimore dhe hetimore, duke përfshirë edhe botën dixhitale, ku shpesh fillojnë sinjalet e para të kontrollit: mesazhe të shtuara, lokalizime, shantazhe emocionale në rrjete sociale.
Lufta kundër femicidit është edhe një sfidë kibernetike, sepse kontrolli shpesh fillon aty. Nëse nuk mësojmë t’i lexojmë ato sinjale, do të vazhdojmë të humbim gra si Ilaria – që donin vetëm të jetonin, të donin dhe të ndërtonin vendin e tyre në këtë botë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.