Mbyllja e News 24, Lubonja: Sulm banditesk që kapërcen ligjin

Analisti Fatos Lubonja ka reaguar ashpër lidhur me rrethimin e medias News24 dhe paralizimin e punës së gazetarëve, si pasojë e moslejimit të hyrjes në ambientet e punës dhe ndërprerjes së energjisë elektrike. Ai e cilësoi këtë si një goditje të rëndë ndaj lirisë së medias, duke kujtuar edhe precedentë të mëparshëm.

“Kemi të bëjmë me një sulm jo të paprecedentë sepse precedentët Rama i ka rrjepur, boll t’ju kujtoj se unë punoj te News24 dhe para disa vitesh Edi Rama mbylli në mënyrë të dhunshme televizionin ku unë kam punuar atëherë, Agon Channel.

Siç e dini, u bë gjyq në Amerikë për këtë punë, qeveria është dënuar me pagesën e qindra milionëve dhe asgjë s’ka ndodhur, në kuptimin e ndëshkimit të këtyre veprimeve, përkundrazi, përsëriten,” u shpreh Lubonja.

Ai theksoi se nuk bëhet fjalë vetëm për një sulm ndaj medias, por për një veprim të koordinuar jashtë ligjit:

“Jo thjeshtë ndaj mediave, por në tërësinë e vet, ky është një sulm banditesk që kapërzen ligjin, nga një bandë me në krye Edi Ramën që e kapërzen ligjin, se këtu është problem.”

Në vijim, Lubonja iu referua deklaratës së Avokaturës së Shtetit:

“Nëse patë deklaratën e Avokaturës së Shtetit, aty flitet për një ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Apelit Administrative, që është 13 korriku. Por aty flet edhe për një shoqëri, ‘KAYO’ quhet, e cila është, siç u informova unë, kompani e prodhimit të armëve që i është dhënë në marrëveshje kontratë.”

Lubonja ngriti pikëpyetje mbi procedurën e ndjekur kur tha se “Po mirë, si qenka vendosur në marrëveshje të jepet kjo, kur ti ke qenë në gjyq, dhe gjyqi ka mbaruar, i Gjykatës së Apelit kambarfuar në korrik, siç thoshte vetë Avokatura e Shtetit, dhe, mesa u informova unë, pas Gjykatës së Apelit shkon në Gjykatën e Lartë.

Kjo është një gjë që është kundër ligjit. E dyta, çfarë është tjetër e kundërligjshme… është fakti se ajo është pronë e bashkisë dhe duhet të vendosë këshilli bashkiak a ka dhënë apo nuk ia ka dhënë KAYO-s, nuk vendos VKM-ja e kryeministrit. Ndërkohë që del që ka vendosur VKM-ja e kryeministrit, është e paligjshme. I është marrë këshillit bashkiak në mënyrë të paligjshme.”

Sipas tij, kontrata i jep kompanisë ‘KAYO’ edhe të drejtën për të ndërtuar kulla private në zonë: “E treta është që KAYO-ja, në pikat e saj të kontratave, ka edhe një të drejtë që, pasi ta marrë këtë, të japë çapje për ndërtim aty, për të ngritur kullë edhe atje, private, t’ja bëjë private me një fjalë.”

Në përfundim, Lubonja e lidh këtë situatë me mënyrën se si funksionon qeverisja e Edi Ramës:

“Pra është komplet logjika sesi funksionon Edi Rama, duke thyer ligjet, duke mbajtur klientelat e veta dhe duke kryer një sulm ndaj një medieje që nuk e ka kontrolluar dot ai, ashtu siç do ai.”

Kaos në Kapshticë/ Dogana greke punon me kapacitet të ulët, shqiptarët presin në radhë me orë të tëra

Pika kufitare e Kapshticës është rikthyer sërish në një skenë tensioni dhe pritjesh të gjata, me radhë kilometrike që kanë arritur mbi 2 kilometra gjatë ditëve të fundit. Mijëra emigrantë që udhëtojnë nga Greqia drejt Shqipërisë janë detyruar të kalojnë orë të tëra në radhë për shkak të mungesës së stafit dhe funksionimit me sportele të reduktuara nga pala greke në pikën kufitare të Krystallopigi-t.

Në vetëm 5 ditë, më shumë se 37 mijë qytetarë kanë hyrë në Shqipëri nga kjo pikë kufitare një fluks i zakonshëm për muajin gusht, kur emigrantët rikthehen në atdhe për pushime.

Por, ashtu si çdo vit, pala greke duket e papërgatitur për të përballuar fluksin, duke krijuar situata të padurueshme për udhëtarët, shumë prej të cilëve mbeten të bllokuar nën temperatura të larta, me fëmijë dhe të moshuar në automjete.

Ndërsa pala shqiptare po punon me kapacitete të plota për të shmangur bllokimet, ndërsa puna e ngadaltë dhe numri i ulët i sporteleve nga ana greke po e kthen pikën kufitare në një grackë për qytetarët, duke rritur ndjeshëm kohën e pritjes dhe duke krijuar pakënaqësi të thellë.

Me paralajmërimet për flukse edhe më të mëdha në ditët në vijim, situata rrezikon të përkeqësohet edhe më tej, nëse autoritetet greke nuk marrin masa për të rritur kapacitetet e përpunimit në kufi.

Qytetarët kërkojnë zgjidhje dhe koordinim më të mirë mes autoriteteve shqiptare dhe greke, për të shmangur përsëritjen e këtij skenari çdo vit, një skenar që tashmë është bërë i zakonshëm, por aspak i pranueshëm.

“Në turizëm, pasuri s’janë tullat dhe pishinat, por turisti që rikthehet për herë të dytë”

Nga Kreshnik Spahiu :

Dje takova në Tiranë djalin e Janaqit, Raqin.

Ishte një ditë përvëluese dhe termometri shënonte 38 gradë. Po furnizohesha me karburant te “Ekspozita Shqipëria Sot”, kur befas më doli përpara Raqi – 120 kilogramë i shëndoshë, dhe kokrrat e djersës i rrëshqisnin si ujvarë nëpër pjerrësinë e tuleve, duke lagur bluzën prej najloni të stampuar me gërma të mëdha “Emporio ARMANI”.

U ul në gjunjë, më puthi duart dhe m’u lut:

– Vëllaçko, më jep 20.000 lekë të vjetra, se kam mbetur pa naftë.

M’u errësuan sytë. Befas m’u kujtua ajo natë kur fjeta në hotelin me 5 yje të Janaqit, në jug të Shqipërisë.

M’u kujtua Janaqi, një vit më parë, kur kosovarëve ua rriste çmimin e dhomave dyfish në krahasim me italianët, sepse, siç thoshte ai, “këta marrin bukë me vete.”

M’u kujtua Janaqi që shante malokët, sepse “nuk dinin not”.

Mu kujtua që tallej me italianët sepse thonte: “këta nuk shpenzojnë 500 euro në tavolinë”.

M’u kujtua Janaqi që tallej me turistët gjermanë, sepse sipas tij “nuk e shijojnë peshkun”, ndonëse gjermanët janë konsumatorë 27 herë më shumë se shqiptarët për frymë.

M’u kujtua si kruante hundët ndërsa fliste me një turiste spanjolle, dhe pastaj fshinte gishtat në pantallona.

M’u kujtua si të enjten kishte çmimin e spagetit me karkalec 15 euro, ndërsa të shtunën e rrite për 25 euro, “se kishte më shumë klientë”.

M’u kujtua si i la për një muaj turistët me ujë të ngrohtë në dush, dhe i gënjente çdo mëngjes: “Do rregullohet sot.”

M’u kujtua sesi peshkun kinez e reklamonte si peshk të egër, duke mashtruar turistët francezë – dhe pastaj thoshte: “Francezët janë popull pa shije.”

M’u kujtua Janaqi që, kur mungonte kuzhinieri, e zëvendësonte me rojen e parkingut, sepse thoshte: “Polakët nuk e dallojnë ushqimin e detit.”

M’u kujtua si kursimet e vitit ia bleu djalit të tij, Raqit, një Range Rover prej 160.000 eurosh.

M’u kujtua si pas çdo fature që u çonte turistëve të huaj, thoshte me përçmim:

– Ç’ju qifsha tëmën këtyre hollandezëve, se nuk do ua shoh më surratin!

…Dhe kishte të drejtë.

As hollandezët, as gjermanët, as polakët, e as emigrantët nuk ia panë më surratin – as Janaqit, as Raqit.

Të dy, këtë vit, nuk kishin asnjë turist.

U kishte mbetur vetëm Range Roveri i djalit, sepse Range Roverin tjetër e humbën bashkë me dashnoren 28-vjeçare, e cila iku si turistët – pa kthyer kokën pas, duke e lënë Janaqin të kruante hundët vetëm, në hotelin bosh me 5 yje.

Gjithsesi, ai s’ka më nevojë të shkojë në banjo për të urinuar, sepse e bën në breg të detit, me pamje nga shezlongët 200 euro, me jastëkë me pupla.

Ndërkohë, futa dorën në xhep dhe i thashë Raqit:

– Merri këto 20.000 lekë dhe bëji të fala babait. Por mos harro t’i thuash nga unë:

“Më tha Kreshniku – në turizëm, pasuri nuk janë tullat apo pishinat, por turisti që rikthehet për herë të dytë.”