Policia e Korçës ka zbardhur ngjarjen e rëndë që ndodhi pasditen e së premtes në fshatin Mollaj, ku 27-vjeçari Ari Kodra u plagos rëndë me thikë dhe ndodhet në gjendje kritike në Spitalin e Traumës në Tiranë. Autor i plagosjes është arrestuar 41-vjeçari Aleks Qiqi, banues në të njëjtin fshat, i cili akuzohet për “Vrasje me dashje” në tentativë, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje të armëve të ftohta”.
Pas ngjarjes, Qiqi u dhunua nga katër persona të tjerë dhe ndodhet në spital me dëmtime në kokë dhe trup.
Policia ka arrestuar edhe katër personat që sulmuan Aleks Qiqin, të identifikuar si Isuf Dalipi, Thanas Paskali, Dhimitër Kodra dhe Bilal Shkëmbi, të gjithë banues në Mollaj. Ata akuzohen për “Plagosje të rëndë me dashje” në bashkëpunim, pasi menjëherë pas plagosjes së Kodrës, kanë goditur autorin me grushta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në një lokal, ndërsa policia ka sekuestruar thikën e përdorur, një aparat celular dhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë për hetime të mëtejshme.
Sipas policisë, Aleks Qiqi ishte sapo liruar nga burgu ku vuante dënimin për trafik droge, dhe rezulton të jetë dënuar edhe në Greqi. Materialet e hetimit janë dorëzuar pranë Prokurorisë së Korçës për ndjekje ligjore dhe veprime të mëtejshme. Ngjarja ka trazuar komunitetin lokal dhe po hetohet intensivisht nga autoritetet.