Makina e policisë në sens të kundërt në Pogradec, gjobitet efektivi! I hiqet patenta

Një efektivi policie i është pezulluar leja e drejtimit për 3 muaj dhe janë zbritur 6 pikë nga leja e drejtimit, pas lëvizjes në sens të kundërt në Pogradec

Në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një automjet policie duke lëvizur në sens të kundërt të drejtimit të lëvizjes, në qytetin e Pogradecit, bëjmë me dije se:

Për shkeljen e kryer, bazuar në pikën 12 të nenit 7 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit, shtetasi Th. K., punonjës policie i DVP Korçë, është ndëshkuar me masën administrative 10 000 lekë, i është pezulluar leja e drejtimit për 3 muaj dhe janë zbritur 6 pikë nga leja e drejtimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.”-njofton policia.

Vdiq pas mbushjes së dhëmballës/ Detaje të reja nga ngjarja në Devoll, dyshohet se…

Pas ngjarjes ku humbi jetën një 59-vjeçar nga Devolli, i cili kishte qenë në një klinikë dentare për t’u trajtuar, informacione të reja kanë dalë lidhur me këtë vdekjen e tij. Burime nga hetimet bëjnë me dije se 59-vjeçari kishte shkuar në klinikën dentare së bashku me dy djemtë, një kushëri dhe një grua të afërt.

Pas mjekimit dentar, ku iu bë një mbushje, ai është ankuar disa herë, për gjendjen shëndetësore duke thënë “S’jam mirë”.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një infarkt. Por vetëm pas daljes së ekspertizës mjeko-ligjore do të përcaktohet përfundimisht shkaku i saktë i vdekjes.

Ndërkaq grupi hetimor ka sekuestruar kartelën mjekësore të pacientit, ku janë pasqyruar të gjitha procedurat e trajtimit që i janë kryer në klinikë.
Për rastin është marrë në pyetje dentisti 36-vjeçar, i cili ka shpjeguar përpara bluve të Devollit, procedurën e ndjekur në trajtimin dentar të 59-vjeçarit që ka ndëruar jetë.

Nga Vjena për pushime në atdhe, bankieri shqiptar: Vijmë çdo vit se duan fëmijët

Albi Jaçe, një emigrant shqiptar që jeton prej 35 vitesh në Vjenë, Austri, ka zgjedhur sërish Shqipërinë për të kaluar pushimet verore me familjen e tij. Bashkë me bashkëshorten Melani dhe katër fëmijët, ai po udhëton në disa nga destinacionet më të njohura bregdetare të vendit.

Albi ishte vetëm 6 vjeç kur u largua nga Tirana me familjen për të emigruar në Austri. Sot, në moshën 41-vjeçare, ai punon si bankier dhe thotë se Shqipëria është gjithmonë në zemrën e tij.

“Jetoj në Vjenë prej 35 vitesh. Pushimet çdo vit i kalojmë në Shqipëri, sepse është një vend i mrekullueshëm. Fëmijët tanë e duan dhe e ndjejnë këtë vend si shtëpinë e tyre,” – thotë ai nga plazhi i Ksamilit, ku familja po qëndron aktualisht.

Destinacionet e preferuara: Durrësi, Borshi dhe Dhërmiu

Prej 8 vitesh, familja Jaçe kalon pushimet verore ekskluzivisht në bregdetin shqiptar, duke ndjekur çdo vit të njëjtin itinerar.

“Na pëlqen shumë Borshi, por personalisht kam një dobësi për Dhërmiun. Çdo vit i vizitojmë të njëjtat vende dhe e shijojmë maksimalisht,” – thotë Albi.

Dashuria me shikim të parë e Melanit për Shqipërinë

Bashkëshortja e Albit, Melani Jaçe, është me origjinë nga Izraeli dhe lindi në Austri. Ajo e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në vitin 2014 dhe që atëherë është kthyer çdo verë.

“Shqipëria më kujton shumë Izraelin – ndërtesat, njerëzit, atmosfera. Ndjehem më shumë si në shtëpi këtu sesa në Vjenë. Kultura dhe mikpritja më kanë bërë për vete,” – thotë ajo.

Melani tregon se tashmë ka nisur të kërkojë online hotele për verën e ardhshme.

“Do të vijmë sërish në Durrës, Borsh, dhe më pas kthehemi prapë në Durrës. Nuk e ndërrojmë Shqipërinë me asnjë vend tjetër për pushime.”

“Fëmijët e ndjejnë Shqipërinë si shtëpi”

Çifti ka katër fëmijë të lindur në Austri, por thonë se përpiqen t’u ruajnë lidhjen me rrënjët shqiptare.

“Na kërkojnë të veshin bluza me flamurin shqiptar dhe e quajnë Shqipërinë ‘shtëpi’. Edhe kur pushojnë gjatë ditës, nuk thonë ‘hotel’, por ‘shtëpi’. Kjo për ne është shumë domethënëse,” – thotë Albi.

Çifti vjen çdo verë me fëmijët, por Albi tregon se në disa raste vijnë edhe vetëm si çift për të kaluar fundjava të qeta, ndërsa fëmijët qëndrojnë me gjyshërit.

“Pabuksa” – Racizmi i shqiptarëve kundër turistëve

Nga Ergys Mërtiri

Racizmi kundër turistëve është fenomeni më i fundit i shfaqur tek shqiptarët. Ankohen se turistët po na prishin qetësinë publike, se kanë pretendime dhe mbi të gjitha, e kursejnë paranë dhe nuk shpenzojnë shumë.

Ne vërtetë duam turizëm, por duam turistë model, që nuk dehen, nuk bëjnë zhurmë, nuk kërkojnë standarde, nuk bëjnë çiçin nëpër lulishte (nëse ka mbetur ndonjë në këtë vend) dhe mbi të gjitha, që e derdhin paranë lumë.

Gjithandej sheh njerëz që shfryjnë kundër turistëve duke i quajtur pabuksë, pisanjosë, tekanjosë etj. Dhe këto i ankesa i shprehin banorë nga vendi i turizmit që uzurpon hapësirat publike, ndalon termusin dhe ta fut në faturë, vend që, për më tepër, nuk ofron asgjë përveç natyrës, që ia ka fal Zoti.

Kërkohet turizëm elitar në një vend që ende nuk ofron as shërbime, as infrastrukturë, as standard, madje në shumë raste as një minimum edukate qytetare apo fije njerëzillëku!

Një infeksion mendor shumë i përhapur tek shqiptari i sotëm, shfaq prirjen idiote për të pretenduar që tjetri të të mbulojë me para, pa llogaritur fare se çfarë ofron ti vetë.

Ky infeksion buron nga kultura e të fortit dhe mentaliteti kompleksiv i vetëdijes së pronarit që nuk ngrihet dot në nivelin e sipërmarrësit në shërbime.

Më shumë sesa të fitojë, pronari ka hall të demonstrojë fuqinë e vet, karakterin e vetë kompleksiv lidhur me pronën dhe pushtetin. Ai nuk shërben, por sundon në investimin e vet. Klienti këtu nuk është mbret si kudo, por një bujtës që dëshmon madhështinë e pronës dhe investimit të tij.

Kjo më kujton kur kam qenë në gjimnaz, kur pronarët e lokaleve ankoheshin shpesh se iu zinim tavolinat duke marrë vetëm kafe.

Prestigji i pronarit ndjehej i cënuar nga çmimi i ulët i faturës që klienti paguan për shkak të produktit jo të shtrenjtë që konsumon.

Ai do të ishte i vlerësuar vetëm kur klienti prorsit pije të shtrenjta dhe paguan një faturë të majme. Respekti për investimin përcaktohet nga shifra e faturës që klienti paguan.

Ky realitet në fakt vjen më shumë për shkak se klasa e investitorëve në këtë vend, vjen vetë nga një e kaluar pabuksësh.

Ky vend ka bërë me lekë shumë druvarë e banditë, që tashmë janë futur në sektorin e shërbimeve pas një kariere të suksesshme në fushën e grabitjes, krimit dhe korrupsionit.

Për këtë arsye një pjesë e mirë e sipërmarrësve në këtë fushë, reflekton kulturën e rrugës, të cilën e përcjell në turizëm, pasi e kanë të vështirë të bëhen njerëz.

Koret e komentuesve në rrjete sociale që shoqërojnë stereotipizimet ndaj turistëve janë shpesh përforcues të këtij fenomeni nga ajo kategori shqiptarësh që reflekton pikërisht kulturën e të fortit.