Fronëzimi i Mitropolitit të Korçës Anastasit

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë mes qindra besimtarëve u mbajt ceremonia e Fronëzimit të Mitropolitit të Korçës, Hirësi Anastasit. I pranishëm në ceremoni ishte edhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse.

Në fjalën e tij Krepiskopi Joan vlerësoi kontributin e Mitropolitit të ri të Korçës çfarë dëshmon se Krishti vazhdon të thërrasë njerëz edhe në shek XXI.

Nga mësimet e Zotit tonë Jezu Krisht, nga jeta shpirtërore e Kishës së shekujve, dhe nga pararendësit tanë, mësojmë se udhëheqësi shpirtëror duhet të prijë grigjën e tij me dashuri dhe përkushtim. Mësojmë se bariu i vërtetë nuk sundon mbi grigjën, por i shërben asaj. Dashuria baritore nuk është abstrakte, por konkrete: të vizitosh të sëmurin, të ushqesh të uriturin, të veshësh të zhveshurin, të ngushëllosh të pikëlluarin, të përkrahësh të dobëtin, të mësosh të paditurin dhe të ndihmosh të humburin të gjejë rrugën.

Po kështu mësojmë si të kombinohet urtësia me thjeshtësinë, autoriteti me përulësinë, vizioni me realizmin.

Mësojmë se nuk mjafton të ndërtojmë ndërtesa kishtare, por duhet të ndërtojmë edhe tempullin shpirtëror në zemrat e njerëzve.Mësuam të duam Perëndinë, dhe e dimë se të gjitha bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan Atë. Duke mbajtur këto mësime në mendje e në zemër dhe duke i zbatuar ato me përkushtim në jetë dhe në punë, do të shpëtosh edhe veten, edhe ata që të janë besuar ty.

Kryepeshkoi Joan vlerësoi Korçën si qytetin ku shërbeu për shumë vite si Mitropolit si kryeqendër kulturore të shqipërisë, djep i arsimit dhe qëndresës shpirtërore.

Korça, qyteti që është kryeqendra kulturore e Shqipërisë, djepi i arsimit kombëtar dhe i qëndresës shpirtërore, aty ku lindi Rilindja Kombëtare dhe u hap shkolla e parë shqipe, ka dhënë shumë për kombin tonë dhe është përballur me sfida të mëdha. Emigrimi masiv, plakja e popullsisë, vështirësitë ekonomike, ndikimi i sekularizmit, humbja e vlerave tradicionale dhe dobësimi i familjes janë ndër shkaqet që e bëjnë të vështirë ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme dhe funksionale.

Populli i Korçës pret shumë prej teje: të rinjtë presin frymëzim, të moshuarit ngushëllim, të varfërit shpresë.

Në momentet e vështira, kujto thjeshtësinë dhe përulësinë e Atë Kozmait, mençurinë dhe dashurinë e Kryepeshkopit Anastas, që me veprën e tij të pashoqe ringriti Kishën tonë nga gërmadhat. Por, sidomos, kujto fjalën e Apostullit: “Gjithçka mund ta bëj me anë të Krishtit që më forcon.” Sepse pa Krishtin nuk mund të bëjmë asgjë.

Nuk je vetëm. Pas teje qëndron i gjithë Sinodi i Shenjtë, klerikët e nderuar dhe mijëra besimtarë që do të luten për ty. Mbaj gjithmonë mend se të është dhënë hiri i Perëndisë, dhe Ai nuk na ka dhënë frymë frike, por frymë force, dashurie dhe urtësie.

Së bashku do të vazhdojmë traditën e shenjtë që na është besuar. Le të lulëzojë Mitropolia nën drejtimin tënd. Le të bëhet një qendër rrezatimi shpirtëror për gjithë vendin tonë dhe një model për botën ortodokse.

Të uroj jetë të gjatë dhe të frytshme në vreshtin e bekuar të Zotit e të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.

Mitropoliti i Korçës imzot Anastasi në fjalën e tij theksoi rëndësinë e forcimit të besimit tek Jezu Krishtit në kushtet kur shoqëria përballet me sfida të vështira.

Mitropoliti i Korçës imzot Anastasi:-

Nuk jam këtu që të flas si i huaj mes jush, por si një vëlla në Krishtin, i lidhur me dashurinë dhe me shenjtërinë e etërve që përmenda. Nuk jam këtu për të nisur nga e para, por për të vazhduar një histori që ka rrënjë të thella. Jam këtu për të shkruar një kapitull të ri në librin e gjatë të besimit dhe të dashurisë që kjo Mitropoli e ka gdhendur në gjuhën dhe jetën e popullit tonë.

Sot sfidat janë të tjera. Nuk kemi përndjekje të hapura, por kemi forma të fshehta të tyre: shpërfillje, relativizëm dhe materializëm. Njeriu shpesh humbet në zhurmën e shumë zërave dhe ofertave të kota. Të rinjtë, jo rrallë, nuk gjejnë kuptim në jetën e përditshme. Pikërisht këtu hyn misioni i Kishës: të jetë dritë dhe udhërrëfyes. Roli i saj nuk është të dënojë, por të ndriçojë; jo të përjashtojë, jo të gjykojë, por të udhëheqë me dashuri.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.