Mësohet se autori, Elvis Shkëmbi, 30 vjeç, ishte i pranishëm në sallë në cilësinë e palës paditëse në një çështje pronësie, së bashku me babanë e tij. Seanca gjyqësore kishte nisur në orën 14:00 dhe kishte vijuar normalisht, derisa gjyqtari Kalaja lexoi vendimin përfundimtar, i cili rezultoi në favor të palës kundërshtare të familjes Shkëmbi.
Në atë moment, 30-vjeçari ka reaguar në mënyrë ekstreme.
Sapo gjyqtari Kalaja ka përfunduar seancën dhe ka dalë në korridorin e gjykatës, Elvis Shkëmbi e ka qëlluar me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Të plagosur nga të shtënat mbetën edhe dy persona të tjerë, babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, që ishin pala kundërshtare në çështjen gjyqësore.
Ndërkohë, autori është arrestuar dhe arma i është sekuestruar.
Është e paqartë se si ka arritur të hyjë një person i armatosur brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, duke arritur të kalojë kontrollet e sigurisë dhe skanerin elektronik për armë.
Elvis Shkëmbi ka pranuar autorësinë e krimit gjatë marrjes në pyetje dhe ka deklaruar se e kreu vrasjen për shkak se “po humbiste gjyqin për pronën”, të cilën ai pretendonte se i përkiste familjes së tij.
