Nga 1 Qershori pagesa e biletave te autobuseve me karte banke, pritet rritje me 75 %

TIRANË – Duke nisur nga 1 qershori, pagesa e biletës në transportin urban pritet të pësojë ndryshime, pasi operatorët e autobusëve do të pajisen me terminale POS/POI për pagesa me kartë bankare, në zbatim të një nisme të administratës tatimore.

Sipas njoftimit zyrtar, masa synon formalizimin dhe modernizimin e pagesave në transportin publik, duke ofruar mundësinë e pagesës elektronike për qytetarët.

Megjithatë, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka ngritur shqetësime lidhur me zbatimin praktik të kësaj nisme, veçanërisht për shkak të kostove të larta të transaksioneve në raport me çmimin aktual të biletës, i cili është 40 lekë.

Operatorët e transportit theksojnë se pagesat me kartë mund të rrisin ndjeshëm kostot operative, për shkak të komisioneve bankare, tarifave fikse për çdo transaksion dhe shpenzimeve për pajisjet dhe mirëmbajtjen e sistemit.

Sipas tyre, vetëm tarifa fikse për një transaksion mund të arrijë deri në 30 lekë, duke e bërë pothuajse të barabartë me çmimin e një bilete urbane.

Shoqata kërkon sqarime nga institucionet përgjegjëse lidhur me mënyrën e mbulimit të këtyre kostove, nëse ato do të përballohen nga shteti, operatorët e transportit apo do të reflektohen në çmimin përfundimtar për qytetarët.

Po ashtu, ngrihen shqetësime edhe për funksionimin e sistemeve POS në oraret me fluks të lartë pasagjerësh, si dhe për mungesën e një sistemi të unifikuar elektronik për transportin urban.

Pavarësisht rezervave, shoqata vlerëson nismën për modernizim dhe formalizim të sektorit, por kërkon një analizë më të thelluar ekonomike dhe teknike përpara zbatimit të plotë të saj.