Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Patisia të Athinës, ku një shqiptar ka plagosur një shtetas pakistanez, pronar i një dyqani telefonash. Sipas mediave ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 autori hyri me forcë në dyqan dhe e qëlloi pronarin në të dyja këmbët.
Më pas, autori i krimit hyri në një automjet ku e prisnin tre bashkëpunëtorë të tij, me origjinë shqiptare, e cila u pikas nga policia dhe u ndalua në rrugën Tsounta, në rrugën për në Lamia.
Gjatë ndjekjes makina ku ndodhej autori përplasi edhe tre automjete të tjera. Policia arrestoi tre nga katër banorët, ndërsa një tjetër është në kërkim.
I plagosuri është dërguar me ambulancë në spitalin “Kryqi i Kuq” ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe motivit të sulmit.
