Ngjarja që tronditi Ulqinin/ Kjo është 36-vjeçarja nga Lezha që u vra dhe u dogj nga burri i saj Kosovar…

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Ulqin, Mali i Zi, ku një 46-vjeçar nga Kosova ka vrarë partneren e tij 36-vjeçare. Viktima është identifikuar si Dila Ndoj nga Balldreni i Lezhës, ndërsa lajmi ka tronditur familjarët dhe komunitetin ku ajo jetonte. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë dhe autoritetet lokale kanë ndërhyrë menjëherë pas krimit.

Sipas të dhënave paraprake, familjarët e viktimës kanë udhëtuar drejt Malit të Zi që prej ditës së djeshme për të ndjekur procedurat ligjore dhe për tërheqjen e trupit të pajetë.

Ndërkohë, pritet që ceremonia mortore të zhvillohet në vendlindjen e saj, në Balldren të Lezhës, ku familja do të hapë dyert e mortit.

Pas krimit të rëndë, autori Bashkim Gashi dyshohet se i ka vënë flakën edhe banesës ku jetonin në zonën e Kodrës në Ulqin. Ai është arrestuar nga autoritetet malazeze pak pas ngjarjes, ndërsa policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj vrasjeje.