Nga Ola Xama
Ata që pretendojnë që protestat për të ndaluar ndërtimin në Zvërnec do të duhet të ishin bërë që në momentin që ndryshoi Ligji për Zonat e Mbrojtura apo kur u miratua dhe shty afati i Ligjit për Investimet Strategjike gabohen. Jo se në atë rast nuk duhej protestuar, por sepse sot protestat janë po aq koherente pasi kemi të bëjmë hapur me shkelje të ligjit.
Pikësëpari, autoritetet kanë dhënë lejen e zhvillimit në shkelje të plotë me Konventën e Aarhusit ku Shqipëria është anëtare. Konventa ka si kusht që për çdo vendim që merret për projekte ndërtimore të zhvillohet procesi i konsultimit publik me banorët që preken dhe palët e interesit (shoqatat e ambientalistëve dhe shpendëve në këtë rast.)
Ky proces jo vetëm që nuk ka ndodhur sepse askush nuk është konsultuar, por nuk është raportuar asnjë e dhënë se cila është kompania ndërtuese, për interes të kujt po ndërtohet, sa është vlera e investimit dhe cili është efekti në mjedis (për këtë duhet të ketë dhe një raport të posaçëm të ekspertëve).
Informacioni për emrin e kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development” dhe vlerën 4 miliard euro të investimit është dhënë pasi nisën protestat dy javë më parë, ndërsa akoma dhe sot, zona është rrethuar dhe kantieri po bëhet gati për punime pa vendosur tabelën.
Gjithsesi edhe ky informacion i vakët që ka servirur qeveria është vështirë të besohet.
Nëse kërkon në të dhënat e kompanisë, një pjesë e pronarëve të saj janë anonimë të regjistruar në Hollandë (shtet offshore), ndërsa personi tjetër që rezulton si përfitues i 60% të aksioneve e që do të investojë 2.4 miliard euro është Redi Struga.
Ky i fundit ka patur ndër vite një biznes modest në fushën e konsulencës dhe projektimeve, por së fundi është bërë i njohur në rrethet e biznesit për shkak të bashkëpunimit që ka me një kompani të rëndësishme, e që pas këtij bashkëpunimi ka arritur të sigurojë dhe leje për 2 kulla në kryeqytet.
Besoj se përrallën e investimeve që po vijnë nga SHBA për ta bërë Shqipërinë “tokë të premtuar” do të na i tregojë nesër kryeministri në konferencën që ka njoftuar. Por përpara se ta dëgjojmë, do të duhet të jemi të bindur se ajo që po ndodh në Zvërnec nuk ka asgjë të ligjshme!
1.)Vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike për projektin e Jared Kushner është dhënë për Sazanin dhe jo Zvërnecin.
2). Ligji për Zonat e Mbrojtura ka si kusht ndërtimin brenda tyre në harmoni me natyrën dhe pa shkaktuar efekte në mjedis. Leja në këtë rast është dhënë pa ditur nëse betoni që po përgatitet të hidhet shkakton apo jo pasoja!
Mbi të gjitha, që diçka të konsiderohet e padrejtë nuk ka nevojë që të jetë domosdoshmërisht shkelje ligjore, përndryshe asgjë në historinë botërore të sistemeve të qeverisjes nuk do të kishte ndryshuar.
Protesta sot nuk lidhet me shkeljen ose jo të ligjit, por me mendësinë e drejtimit të shtetit: vidh për vete dhe fal toka e pasuri publike për të mbajtur sa më gjatë pushtetin. Fatkeqësisht, në këtë rast edhe partia më e madhe opozitare e vendit hesht.
