E qëlluan me tre plumba, por nuk shfaqi pendesë! Detaje të reja për autorin e ngjarjes në Maliq…

Detaje të reja kanë dalë në pah lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në zonën e Lozhanit, në Bashkinë e Maliqit, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi Enea Mekolli dhe mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri.

Sipas informacioneve të siguruara, i shumëkërkuari Violand Braçellari, i dënuar në mungesë për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, është arrestuar pas shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë pranë një stani ku dyshohej se fshihej.

Edhe pse kishte marrë tre plagë nga armë zjarri në bark dhe në dorë, Braçellari ka ruajtur qetësinë gjatë transportimit me ambulancë. Personat që e shoqëruan drejt spitalit tregojnë se ai nuk ka shfaqur shenja dhimbjeje apo shqetësimi dhe nuk ka shprehur pendesë për ngjarjen.

Ndërkohë, ndaj tij rëndojnë edhe akuza të tjera. Sipas burimeve, rreth një vit më parë ai dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një shtetasi tjetër, të cilin pretendohet se e ka tërhequr zvarrë me kalë për më shumë se dy orë.

Braçellari konsiderohej një person me rrezikshmëri të lartë dhe gjatë viteve të fundit ai kishte arritur t’u shpëtonte disa herë operacioneve të forcave RENEA, duke përfituar nga terreni i vështirë malor dhe njohja e mirë e zonës ku qëndronte, pranë një stani mbi fshat dhe në afërsi të pyllit.

Për të ekzistonte një vendim i formës së prerë me 10 vite burg, i dhënë nga Gjykata e Korçës në vitin 2017 për trafik narkotikësh dhe i lënë në fuqi nga të gjitha shkallët e gjyqësorit. Paralelisht, ai po përballej edhe me një proces tjetër gjyqësor për plagosje.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur forcat e policisë u nisën drejt fshatit malor Bodë për ekzekutimin e urdhrit të arrestit. Sapo ka konstatuar lëvizje pranë stanit, Braçellari dyshohet se ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve. Si pasojë e të shtënave, efektivi Enea Mekolli humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa Edison Adri mbeti i plagosur. Operacioni përfundoi me neutralizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.