Këtë të hënë u hodhën sërish vezë mbi makinat e deputetëve nga ana e protestuesëve, ndaj dhe Erion Braçe, thotë se sulmi fizik ndaj një personi tjetër nuk mund të konsiderohet pjesë e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta justifikuar atë në emër të lirisë së shprehjes apo reagimit. ..
Postimi i plotë
Të sulmosh tjetrin fizikisht, në mënyrë të dhunshme, nuk hyn te liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. JOOOO! Kemi hyrë prej ditësh në një spirale dhune, ku një grusht njerëzish mendojnë se sulmi fizik dhe i dhunshëm ndaj tjetrit hyn në të drejtat e tyre; se nuk duhen ndaluar ta bëjnë, sepse u kufizohet liria.
Dëgjoja sot kryetaren e Komisionit të Kuvendit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, e cila e justifikonte, për të disatën herë – herën e parë e lexova ta bënte në një grup – sulmin fizik si pjesë të lirive dhe të drejtave të atij që e ndërmerr, ndërsa reagimin ligjor ndaj tij si padrejtësi.
JOOOO, NUK ËSHTË KËSHTU!
Cilido, qoftë qytetar i zakonshëm apo person që ushtron mandate kushtetuese, mund të bëjë mirë ose keq, të gabojë, të shkelë ligjin apo të kryejë një vepër penale. Për të reaguar ndaj tij, sistemi demokratik që kemi ka legjitimuar VOTËN, politikisht, dhe DREJTËSINË, ligjërisht. Kjo është bota ku jetojmë ne, në Evropë. Sulmi fizik dhe i dhunshëm, qëllimi me gurë i dikujt ndaj një tjetri apo të tjerëve – është instrument i një bote tjetër, ku ekstremizmi i dhunshëm është sistem politik, fuqi politike dhe pushtet politik.
Në këtë vend ka pasur luhatje të mëdha, herë pas here, për sa i përket zgjedhjes se cilën botë duhet të ndjekim.
Jo shumë kohë më parë, tjetri dhe të tjerët u sulmuan dhunshëm mu në bulevard dhe U VRANË. Edhe atëherë u justifikua si e drejtë e shtetit për të marrë jetën. I kemi ikur asaj zgjedhjeje dhe kemi bërë mirë! Ndaj ka shumë rëndësi që dhuna dhe sulmi fizik të konsiderohen ashtu siç janë: KRIM, e jo e drejtë themelore e dikujt kundër një njeriu tjetër!
