Drejtuar:
- Bashkisë Korçë
- IKMT Qendrore, Tiranë
- Prefektit të Qarkut Korçë
- Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil
- Inspektoratit Rajonal të Mbrojtjes së Territorit (IKMT/IK) Korçë
Lënda
Kërkesë për verifikimin e ligjshmërisë së Lejes së Ndërtimit nr. 1696/95, datë 17.04.2025, me zhvillues z. Elvis Peronka dhe znj. Anisa Peronka, pezullimin e përkohshëm të punimeve dhe vlerësimin e përgjegjësisë administrative.
Ne, pronarët e pasurisë kufitare në anën jugore të objektit që po ndërtohet, paraqesim këtë kërkesë duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative dhe teknike.
1. Leja e ndërtimit
Në kufi me pronën tonë po realizohet një objekt mbi bazën e Lejes së Ndërtimit nr. 1696/95, datë 17.04.2025, miratuar nga Bashkia Korçë.
2. Cenimi i të drejtave të pronës
Objekti ynë ka në anën jugore dritare të dhomave dhe korridorit, të cilat nuk kanë mundësi tjetër ndriçimi dhe ajrimi natyral. Çdo mosrespektim i distancave ligjore cenon drejtpërdrejt kushtet e jetesës dhe të drejtën tonë të pronës.
3. Distancat nga kufiri i pronës
Sipas projektit të miratuar, objekti duhet të ndërtohet në një distancë prej 3–3.1 metrash nga kufiri i pronës.
Nga verifikimi në terren rezultoi se matjet janë kryer pa instrumente topografike profesionale dhe pa hartimin e procesverbalit në prani të të dyja palëve.
Kjo përbën një shkelje proceduriale serioze, pasi procesverbali duhet të hartohet në vendngjarje, të përmbajë të gjitha konstatimet dhe të nënshkruhet nga palët e pranishme.
Deri më sot nuk na është vënë në dispozicion asnjë procesverbal zyrtar.
4. Përgjigjet kontradiktore të institucioneve
Inspektorati Rajonal dhe Bashkia Korçë kanë përdorur në përgjigjet e tyre formulime të tilla si “distanca është variabël” dhe “mbi 3 metra”, pa përcaktuar vlerën e saktë të distancës, ndërkohë që, sipas legjislacionit dhe dokumentacionit teknik në fuqi, distanca duhet të jetë 4 metra.
Në këto kushte, i drejtojmë Bashkisë Korçë dhe IKMT Rajonale pyetjen: Cila është vlera e saktë e distancës së zbatuar? Çfarë nënkuptohet me shprehjet “mbi 3 metra” dhe “distancë variabël”, dhe cilat janë matjet konkrete (në metra dhe centimetra) që çojnë në përfundimin se respektohet distanca prej 4 metrash nga objekti ynë?
Distancat në projektim dhe ndërtim nuk mund të përcaktohen me terma të papërcaktuar si “variabël” apo “mbi 3 metra”, por duhet të jenë të matshme, të përcaktuara me saktësi dhe të mbështetura në aktet ligjore, normat teknike dhe dokumentacionin e miratuar. Për këtë arsye, kërkojmë të na vihet në dispozicion llogaritja e plotë teknike, me vlerat e sakta në metra dhe centimetra, që provon respektimin e distancës ligjore prej 4 metrash.
Gjithashtu, në përgjigjet e institucioneve është pretenduar se ndryshimi i distancës justifikohet nga disniveli i terrenit. Kërkojmë të sqarohet qartë mbi cilën bazë ligjore, normë teknike ose standard projektimi mbështetet ky interpretim, pasi distanca ndërmjet objekteve është një matje horizontale, ndërsa disniveli i terrenit përfaqëson një ndryshim vertikal. Për rrjedhojë, kërkojmë të na vihet në dispozicion akti ligjor, standardi teknik ose ekspertiza që justifikon lidhjen midis këtyre dy elementeve.
5. Zbatimi selektiv i ligjit
Zona jonë është zonë zhvillimi dhe çdo pronar duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë. Megjithatë, në praktikë ligji po zbatohet në mënyrë selektive. Në vitin 2012, pranë pronës sonë u ndërtua një pallat shumëkatësh, megjithëse zona ishte dhe mbetet e parashikuar për ndërtime deri në tre kate.
Per ne eshte demtimi i dyte qe na behet nga Bashkia Korçe ku ne vitin 2012 ne kufi me pronen tone eshte ndertuar nje pallat
5- katesh me dyqane dhe podrum, nderkohe kur zona jone ishte zone dy kateshe edhe tani ne planin regullues eshte 3 kateshe. Pra kemi nje masaker ne ndertim duke prishur planimetrine e rruges me nje shifer nga 4-5m nga trotuari ne vije te drejte, ai vendoset ne nje thellesi 1.5m.
Ky objekt ka ndryshuar planimetrinë e rrugës, duke cenuar zhvillimin normal dhe ushtrimin e të drejtave mbi pronën tonë. Edhe në rastin aktual konstatohet i njëjti standard i dyfishtë në trajtimin e çështjeve urbanistike, ku favorizohen persona të lidhur me administratën vendore. Konkretisht, bashkëshortja e z. R. Themeli, me profesion arkitekte/inxhiniere dhe prej vitesh punonjëse e Bashkisë Korçë, rezulton e përfshirë në procedura që, sipas vlerësimit tonë, kanë sjellë cenim të të drejtave të qytetarëve mbi pronat e tyre
6. Podrumi dhe cenimi i privatësisë
Objekti është projektuar me podrum në të gjithë sipërfaqen e parcelës deri në kufirin me pronën tonë.
Pjesa e sipërme e tij përdoret si verandë, duke krijuar mundësi shikimi të drejtpërdrejtë drejt dritareve të banesës sonë dhe duke cenuar privatësinë.
7. Lagështia në objekt
Pas fillimit të punimeve është krijuar lagështi në murin e kuzhinës sonë.
Kërkojmë marrjen e menjëhershme të masave teknike për izolimin dhe eliminimin e dëmit.
8. Koeficienti i shfrytëzimit
Leja parashikon koeficient shfrytëzimi 53%.
Kërkojmë verifikimin teknik nëse ky koeficient është respektuar realisht gjatë zbatimit të projektit.
9. Kati i tretë
Kërkojmë verifikimin nëse kati i tretë respekton të gjitha distancat urbanistike dhe tërheqjet e detyrueshme sipas legjislacionit dhe planit rregullues.
Sipas vlerësimit tonë, këto kushte nuk janë respektuar.
10. Dyshime për shkelje
Nga sa më sipër lind dyshimi i arsyeshëm për:
- moszbatim korrekt të akteve ligjore dhe nënligjore nga projektuesi;
- miratim të lejes në kundërshtim me parametrat urbanistikë;
- shkelje të procedurave të inspektimit për mungesë matjesh profesionale dhe procesverbalesh të rregullta;
- mungesë transparence dhe arsyetimi në përgjigjet e institucioneve.
11. Kërkesat tona
Kërkojmë:
- pezullimin e menjëhershëm të punimeve deri në përfundimin e verifikimeve;
- kryerjen e matjeve nga ekspertë të pavarur me instrumente profesionale;
- vënien në dispozicion të të gjitha procesverbaleve, akteve të konstatimit dhe dokumentacionit teknik;
- verifikimin e plotë të ligjshmërisë së Lejes së Ndërtimit nr. 1696/95, datë 17.04.2025;
- verifikimin e respektimit të planit rregullues, distancave, koeficientit të shfrytëzimit, podrumit dhe katit të tretë;
- dërgimin e një grupi inspektimi nga IKMT Qendrore, për të garantuar paanshmërinë e verifikimit.
12. Përfundim
Ju kërkojmë të mos tolerohen shkelje që cenojnë të drejtën kushtetuese të pronësisë dhe zhvillimin urban të qytetit të Korçës.
Kërkojmë një përgjigje të arsyetuar me shkrim brenda afateve ligjore.
Në mungesë të një përgjigjeje brenda afatit të parashikuar nga ligji, kjo do të konsiderohet refuzim i heshtur dhe do të ndiqen të gjitha mjetet administrative dhe gjyqësore të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Për sqarime të mëtejshme, ju lutemi t’u referoheni të gjitha shkresave dhe dokumenteve të depozituara më parë pranë Bashkisë Korçë, IK Rajonale Korçë dhe IKMT, të cilat janë të protokolluara.
Me respekt,
Pronarët e pasurisë kufitare







