Nga Perparim Gjeka
THIRRJE ESTABLISHMENTIT TË QËNDROJË LARG PROTESTËS QYTETARE
Ka një përpjekje sa të madhe, aq edhe të shtirur, nga grupi i Sali Berishës për të përvetësuar protestën qytetare, tashmë gati dymujore.
Është e madhe, sepse për këtë po shprehen figurat më të larta të tyre, që nga deklarata e Albana Vokshit se Partia Demokratike përfaqëson protestën, deri te thirrjet e vetë Sali Berishës që protesta të përshpejtojë, me të gjitha mjetet, rrëzimin e Edi Ramës.
Është e shtirur, sepse jo vetëm bëjnë sikur harrojnë se protestuesit në shesh thërrasin edhe “Berisha në burg”, por edhe sepse, në të vërtetë, ata nuk e dëshirojnë që protesta të fuqizohet deri në rrëzimin e Ramës. Me largimin e Ramës bie edhe i gjithë sistemi i ngritur mbi paradigmën: “Rama nuk është më i miri, por nuk ka më të mirë, sepse përballë është Berisha.” Me forcimin dhe artikulimin e protestës paqësore po bëhet gjithnjë e më e qartë se Shqipëria ka shumë njerëz më të mirë se Rama dhe Berisha, të gatshëm ta udhëheqin vendin dhe ta begatojnë atë.
Ndërsa deri tani nuk kanë arritur t’i dekurajojnë protestuesit të mblidhen çdo mbrëmje në shesh, me të gjitha mënyrat e mundshme, përfshirë edhe mediat e shitura, kanë arritur të prekin një nerv të ndjeshëm të shumë shqiptarëve: bindjen se Rama nuk largohet me protestë paqësore, por vetëm me dhunë.
Është e natyrshme që shumë protestues ta mendojnë kështu. Pikërisht me këtë ndjenjë ata kërkojnë të luajnë, duke kanalizuar zemërimin e protestuesve drejt veprimeve radikale, të cilat i shërbejnë narrativës së vjetër të përplasjes mes qeverisë dhe opozitës. Bombat molotov dhe skenarë të ngjashëm japin vetëm imazhin e përplasjes, por nuk kanë zgjidhur asgjë në kaq shumë vite. Përkundrazi, ato largojnë nga protesta një pjesë të madhe të familjeve me fëmijë, të cilat janë prova më e fortë se kjo protestë është paqësore, qytetare dhe e vërtetë.
Për të arritur këtë qëllim, janë paguar edhe njerëz që të flasin në protestë me gjuhë të papërshtatshme për gra, fëmijë dhe familjarë, duke dëmtuar frymën qytetare që e ka karakterizuar këtë lëvizje, me te cilen fitoi edhe admirimin e botes.
Thirrja ime për protestuesit është të jenë të kujdesshëm, të mos përdoren për skenarë të dhunshëm dhe të mos bien pre e provokimeve. Le të mbetemi paqësorë deri në fitore.
Thirrja ime për grupin e Sali Berishës në Partinë Demokratike është të qëndrojnë larg kësaj proteste në çdo kuptim, sepse metodat e tyre tashmë janë të dekonspiruara.
Thirrja e fundit i drejtohet pushtetit të kalbur të Edi Ramës: mos i provokoni protestuesit dhe mos e fusni vendin në një spirale dhune, sepse pasojat më të rënda do të bien mbi ju, ashtu siç ranë mbi pushtetin e Sali Berishës në vitin 1997.
