Deti nxjerr qindra mijëra euro në plazh, pushuesit vrapojnë t’i mbledhin…

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në plazhin Marina di Ragusa në Siçili. Mediat italiane kanë publikuar një video ku shfaqen qindra mijëra euro që kishin përfunduar në det dhe që më pas u nxorën në breg nga dallgët. Pushuesit mbetën të habitur kur panë pako me kartëmonedha që notonin në ujë.

Sipas autoriteteve italiane, gjithçka nisi kur një skaf i vogël mbeti pa karburant pranë portit të Marina di Ragusa. Në bord ndodheshin katër persona. Dy prej tyre zbritën për të siguruar karburant, ndërsa një burrë dhe një i mitur mbetën në mjet, i cili u shty nga rrymat detare drejt bregut.

Pushuesit njoftuan rojën bregdetare, duke menduar se skafi ishte në rrezik të fundosej. Por sapo mjeti i rojës bregdetare iu afrua për t’i ndihmuar, dy personat që ndodheshin në skaf nisën të hidhnin në det dhjetëra pako të mbushura me kartëmonedha.

Rrymat i sollën pakot deri në plazh, ku pushuesit nxituan t’i merrnin. Pak më vonë, në vendngjarje mbërritën policia, karabinierët dhe efektivët e policisë financiare, të cilët rrethuan zonën, sekuestruan paratë dhe identifikuan persona që kishin marrë një pjesë të tyre.

Autoritetet njoftuan se kanë sekuestruar afro 700 mijë euro, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e shumës të mos jetë gjetur ende. Skafi u sekuestrua dhe u dërgua në port për ekzaminim, ndërsa tre persona u arrestuan në kuadër të hetimeve.

Në bord ndodhej edhe një i mitur, i cili sipas të dhënave paraprake nuk kishte lidhje familjare me të arrestuarit. Hetuesit po verifikojnë nëse paratë lidhen me aktivitete të krimit të organizuar dhe pastrim parash.