Nga Ornildi Demollari:
Bashkia Maliq dhe Reforma Administrativo-Territoriale
Personalisht, jam kundër bashkimit të Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë✋
Në ditët e fundit kam dëgjuar me vëmendje shqetësimet, pyetjet dhe kundërshtimet e shumë qytetarëve lidhur me draftin për riorganizimin territorial, ku përfshihet edhe bashkimi i Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë. Si bir i kësaj zone, si Kryetar i Këshillit Bashkiak nuk mund të jem indiferent ndaj këtyre reagimeve.
Maliqi ka historinë, identitetin, traditat dhe kontributin e tij në zhvillimin e qarkut, ndaj është e natyrshme që të tilla propozime të shoqërohen me emocione dhe rezerva.
Megjithatë, kam bindjen se vendime të kësaj rëndësie nuk duhen marrë as me emocione, as me fanatizem, e as me paragjykime. Ato duhet të mbështeten mbi fakte, analiza dhe prespektive afatgjatë.
Nga ana tjetër, mendoj se, përtej interesit personal, duhet të shohim perspektivën e një territori, të një komuniteti dhe të gjithë zonës së Bashkisë Maliq. Nëse kjo reformë do të sjellë administrim më të mirë, më shumë investime, shërbime publike më cilësore dhe zhvillim më të madh për qytetarët tanë.
Po ashtu, besoj se bashkimi me Korçën, përtej qasjes fanatike apo emocionale, nuk është as gjëma dhe as kiameti që po na ndodh ne maliqarëve. Ky veprim, sipas mendimit tim, ka anët pozitive, ashtu edhe ato negative, pra avantazhet dhe disavantazhet e veta.
Disavantazhet
- Rritet me rreth 14 km distanca për pjesën më të madhe të territorit aktual të Bashkisë Maliq (me përjashtim të Njësisë Administrative Pojan).
- Mund të ketë më pak takime të drejtpërdrejta me drejtuesin e institucionit.
- Mund të ketë një reduktim të vogël të numrit të punonjësve.
Avantazhet
- Nga pikëpamja gjeografike, bëhet fjalë për një territor që mund të administrohet lehtësisht nga një njësi e vetme e pushtetit vendor, në këtë rast Bashkia Korçë. Maliqi dhe Korça shtrihen rreth Fushës së Korçës, e cila përbën një nga resurset kryesore ekonomike të zonës.
- Njësitë më të mëdha të pushtetit vendor kanë buxhete më të mëdha dhe, për rrjedhojë, kanë më shumë mundësi për të hartuar dhe zbatuar projekte me ndikim rajonal.
- Krijohen mundësi më të mëdha për investime në të gjithë territorin, përfshirë edhe zonën e Bashkisë Maliq.
Ndërkohë, duhet theksuar se nuk parashikohet askund mbyllja e zyrave apo transferimi i shërbimeve në Korçë. Zyrat dhe shërbimet pritet të vazhdojnë të ofrohen, si edhe deri më tani, në Maliq Qendër, Pojan, Libonik, Pirg, Vreshtas, Gorë dhe Moglicë.
Gjithashtu, është hedhur si ide dhe le të shpresojmë që të realizohet – ndryshimi i ligjit për pushtetin vendor, duke përcaktuar me ligj fonde të dedikuara për njësitë administrative. Një gjë e tillë do të garantonte zhvillim më të shpërndarë dhe investime të qëndrueshme në çdo njësi administrative.
Unë do të jem gjithmonë në krah të qytetarëve të Bashkisë Maliq, duke mbrojtur interesin e tyre dhe duke kërkuar që çdo vendim të jetë i argumentuar, transparent dhe në funksion të zhvillimit të kësaj zone. Jam i bindur gjithashtu, se Këshilli Bashkiak Maliq do të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe do të shprehet kundër këtij propozimi.

