Festa e Birrës në Drenovë / Policia: “Ja rrugët që do të bllokohen dhe ku do të parkoni

Policia e Korçës, plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë Festës së Birrës që do të zhvillohet më datë 12.08.2026 deri më datë 16.08.2026, te Poli i Eventeve në fshatin Drenovë, nga ora 20:00 deri në orën 01:00.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe strukturat në vartësi të saj kanë marrë një sërë masash për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, për përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore, për disiplinimin e lëvizjes, për menaxhimin e trafikut, si dhe për parandalimin e aksidenteve.
Gjithashtu, në kuadër të këtij aktiviteti do të kryhen patrullime dhe kontrolle të përbashkëta me Policinë Bashkiake.

🔴Nga shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore do të merren masa për bllokimin e qarkullimit të mjeteve, me një sens lëvizjeje me drejtim nga rruga e Kolonjës, rruga që hyn për në drejtim të Polit të Eventeve, rruga e IEVP Drenovë, gjatë orarit 19:30-01:00.

Orientimi i lëvizjes së automjeteve për në vendet e përcaktuara për parkim, nga Bashkia Korçë, kryesisht përreth objektit të terminalit të automjeteve të transportit publik, do të bëhet në bashkëpunim me autoritetet bashkiake.

Gjithashtu do të realizohet menaxhimi i trafikut gjatë lëvizjes së mjeteve dhe këmbësorëve, në rrugën e Kolonjës, dhe në akse të tjera që të çojnë te kjo rrugë, për të shkuar tek Poli i Eventeve.

Në të gjitha akset që të çojnë për tek vendi që do të zhvillohet festa, do të ketë prezencë të shtuar të shërbimeve të Rendit Publikt, të Hetimit të Krimeve, Policisë Rrugore, grupeve të NJSP-së dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilët do të garantojnë zbatimin e planit të masave, do të ndërhyjnë për zgjidhjen e problematikave dhe do të ofrojnë asistencë dhe informacion.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të përdorin transportin publik, për të zvogëluar kohën e pritjes.

Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në këtë aktivitet, Policia e Korçës i fton ata, për të adresuar menjëherë në numrin 112, çdo problematikë që mund të hasin.

Policia e Korçës uron aktivitet të mbarë.