Nga Ekonomisti Shpëtim Agolli
Kemi dhe një Keny West tjetër në Korçë.
Këtë na e paraqet sot poli-oligarku Niko Peleshi.
“Poli i Eventeve” në Drenovë?
Zhvillim për kë?
“Poli i Eventeve” në Drenovë po na prezantohet si një tjetër “arritje madhore” dhe si pjesë e projektit të madh “Poli i Jugut”.
Por unë e njoh mirë atë vend. Isha dhe para një jave dhe askush nga banorët nuk dinte pse po kryheshin këto punime.
Aty ka qenë fushë futbolli dhe hapësirë sportive dhe ngjitur shkolla 9-vjeçare ku dikur luanin fëmijët dhe të rinjtë e Drenovës.
Sot, realiteti është krejt tjetër. Nuk ka më fëmijë e banorë të mjaftueshëm që ta përdorin, ndërsa shkolla 9-vjeçare e fshatit është mbyllur prej vitesh pikërisht për shkak të rënies së numrit të fëmijëve dhe banorëve.
Dhe këtu lind pyetja:
A po zhvillojmë fshatin apo thjesht po i ndërrojmë funksionin një hapësire që nuk ka më njerëz për ta përdorur?
Kur u prezantua “Poli i Jugut”, flitej për një projekt strategjik që do të ndihmonte bujqësinë, blegtorinë, fermerët, inovacionin, teknologjinë dhe ekonominë familjare të zonës. Në të njëjtën paketë u përfshi edhe ndërtimi i një qendre të madhe eventesh dhe jetës së natës.
Me kalimin e kohës, ajo që po bëhet më e dukshme është pikërisht “Poli i Eventeve”.
Bashkia e ka përdorur tashmë këtë hapësirë për festivale dhe koncerte, ndërsa dokumentet e saj e përshkruajnë si qendër eventesh turistike dhe të jetës së natës. Për një aktivitet rock aty, bashkia ka parashikuar edhe një kosto prej 5 milionë lekësh.
Dhe tani vjen Festa e Birrës Korça, 12–16 gusht, në “Polin e Eventeve” në Drenovë.
Asgjë të keqe nuk ka te festat, muzika apo turizmi. Korça ka traditë të jashtëzakonshme në këto fusha dhe ato sjellin vizitorë e të ardhura.
Por problemi është tjetër.
Një qytet, një fshat nuk ringjallet vetëm me evente.
Nëse shkollat mbyllen sepse nuk ka fëmijë, nëse banorët largohen dhe fshati boshatiset, atëherë na lindin me të drejtë ca pyetje: Ore çfarë duhet të jetë kjo?
Çfarë po bëjmë që njerëzit të kthehen dhe të jetojnë përsëri aty?
Ku janë vendet e punës?
Ku është zhvillimi i bujqësisë?
Ku janë politikat për familjet e reja?
Çfarë po bëhet që fëmijët të rikthehen në fshat apo qytet dhe shkolla të hapet përsëri?
Sepse është një paradoks i madh.
Nuk kemi më fëmijë për shkollën dhe as banorë për fushën sportive, por kemi investim për koncerte, festivale dhe festën e birrës.
Dhe një pyetje tjetër, edhe më e rëndësishme, duhet bërë për transparencën e investimit.
Kush do ta administrojë “Polin e Eventeve” nesër?
Nëse do t’i jepet një operatori privat, me çfarë procedure do të jepet?
Për sa vite?
Me çfarë detyrimesh?
Sa do të paguajë?
Dhe mbi të gjitha, a do të mbetet ky aset në funksion të komunitetit apo do të përfundojë në shfrytëzim privat?
Nuk po them se kjo ka ndodhur. Por pikërisht për këtë duhet transparencë sepse kanë ndodhur edhe më parë.
Sepse paratë publike kur investohen në një pronë publike, qytetarët kanë të drejtë të dinë jo vetëm sa kushtoi, por edhe për kë u bë dhe kush do të përfitojë prej saj.
Dhe ndoshta ironia më e madhe është kjo.
Dikur në atë vend luanin fëmijët e Drenovës.
Sot aty do të luajnë eventet.
Pas mbylljes së Festës së Lakrorit në Polenë, tani kemi Festën e Birrës në Drenovë.
Fshatrat e qytetet tona kanë nevojë për banorë, fëmijë, punë dhe jetë e jo vetëm për evente një herë në hënë.
