Aktivisti Edison Lika ka dhënë detaje mbi organizimin e protestave në Tiranë, duke paralajmëruar një pjesëmarrje masive të diasporës shqiptare më 14, 15 dhe 16 gusht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Lika tha për “News 24” se mbështetja e diasporës ka qenë e jashtëzakonshme që prej ditëve të para të “qëndresës”, ndërsa shqiptarët që jetojnë jashtë vendit janë organizuar paralelisht edhe në shtetet ku ndodhen.
Sipas tij, protesta nuk është kufizuar vetëm brenda Shqipërisë, por është shtrirë edhe jashtë kufijve. Lika deklaroi se, bazuar në informacionet që disponon, është protestuar në “më shumë se 70 qytete të ndryshme në të gjithë Perëndimin”.
Aktivisti bëri të ditur se shqiptarët e diasporës janë vetëorganizuar për të udhëtuar në grupe drejt Tiranës dhe për t’iu bashkuar “rezistencës qytetare” në datat 14, 15 dhe 16 gusht.
Sipas Likës, grupe shqiptarësh janë nisur me makina nga qytete të ndryshme të Gjermanisë, për t’u bashkuar më pas me bashkëatdhetarë të tjerë në Austri. Ata pritet të vijojnë udhëtimin drejt Shqipërisë dhe të hyjnë në vend përmes pikave kufitare, mes të cilave ai përmendi edhe Muriqanin.
Destinacioni i tyre do të jetë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku sipas Likës pritet të bashkohen me qytetarët e tjerë për protestën e paralajmëruar.
Aktivisti theksoi më tej se diaspora është kthyer në një “faktor serioz politik” në mbështetje të ndryshimit në vend.
Lika bëri të ditur gjithashtu se mobilizimi do të vijojë edhe pas protestave të gushtit. Sipas tij, organizatorët po punojnë me intensitet edhe për aksionin e radhës protestues, i cili është planifikuar të zhvillohet gjatë muajit shtator.
