Festa e Birrës në Drenovë, përveç atmosferës dhe muzikës, gjendjes surprize te autobuzeve apo masat kur bie shi ….po shoqërohet edhe me diskutime për çmimet që po paguajnë konsumatorët në zonat me rezervim apo edhe me gjere…
Një gotë birrë e vogel shitet për 2 mijë lekë, një çmim që ngre pikëpyetje nëse krahasohet me atë që konsumatori mund të gjejë në lokalet e Korçës apo edhe në markete.
Në lokalet e qytetit, në disa raste, një shishe birrë 0.5 litra mund të blihet rreth 1 mijë e 500 lekë. Ndërkohë, në dyqane mund të gjenden një numër i madh markash shqiptare dhe të huaja me çmime dukshëm më të ulëta.
Pra, paradoksi është i thjeshtë: në një festë që mban emrin “Festa e Birrës”, një gotë e vogël ne Drenove mund të kushtojë më shumë se një shishe gjysmë litri në një lokal ne qender te Korçes.
Pikërisht këtu lind pyetja nëse duhej të kishte më shumë kontrolle dhe një politikë më të qartë për çmimet gjatë një eventi të tillë.
Një festë e këtij lloji pritet të jetë edhe një mundësi promocioni për produktet, bizneset dhe vetë qytetin. Në evente të tilla, konsumatori do të priste oferta, ulje, dhurata apo çmime më të favorshme, në mënyrë që të ketë një raport më të mirë mes çmimit dhe sasisë.
Por kur ndodh e kundërta, ku një gotë e vogël kushton 2 mijë lekë, ndërsa një shishe më e madhe mund të gjendet më lirë jashtë eventit, festa rrezikon të kthehet nga një mundësi promocionale në një tjetër kosto për konsumatorin.
Në fund, pyetja mbetet: A duhet që Festa e Birrës të jetë më e shtrenjtë se lokalet e qytetit, apo pikërisht këtu duhej të kishte çmime promocionale për mijëra vizitorët?
