Protesta qytetare ka hyrë në ditën e saj të 84-të në Tiranë. Qytetarët u mblodhën fillimisht në “Sheshin Skënderbej”, prej nga marshuan drejt Kryeministrisë, ku zhvillojnë fjalimet e përnatshme dhe përsërisin kërkesat e tyre.
Përpara godinës së qeverisë, protestuesit kanë theksuar kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se nuk kanë ndërmend të tërhiqen dhe se tubimet do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre politike.
“Rama në burg” është kthyer në një prej thirrjeve kryesore të protestuesve. Gjatë tubimit janë dëgjuar gjithashtu sloganet “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Rama ik!”, “Nuk shitet Shqipëria”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.
Pas fjalimeve përpara Kryeministrisë, qytetarët vijojnë protestën duke marshuar nëpër rrugët kryesore të Tiranës. Me flamuj dhe pankarta në duar, ata artikulojnë kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë Rama dhe klasës politike.
Ashtu si gjatë 83 ditëve të mëparshme, pjesëmarrësit kanë ritheksuar se nuk do ta ndërpresin aksionin deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Aktivistë dhe protestues kanë paralajmëruar ndërkohë se aksioni pritet të intensifikohet gjatë muajit shtator, duke bërë të ditur synimin për të shtuar protestat dhe për të vijuar mobilizimin.
Lëvizja, të cilën organizatorët dhe pjesëmarrësit e kanë quajtur “Revolucioni i Flamingove”, nisi në muajin maj në zonën e Zvërnecit. Më pas protestat u zhvendosën edhe në kryeqytet, ku u shndërruan në një aksion të përditshëm kundër qeverisë.
Në ditën e 84-të të mobilizimit, protestuesit vijojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim: tubimet do të vazhdojnë dhe ata nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre.
