Superliga/ Skënderbeu-Dinamo dhe Elbasani-Vllaznia luhen pa tifozë

Dy ndeshje të javës së dytë në Superiore do të zhvillohen pa praninë e tifozëve. Përballja mes Skënderbeut dhe Dinamo City-t, e programuar për më 31 gusht në orën 18:30, do të luhet me dyert e mbyllura në Korçë. 

Ky dënim ndaj klubit bardhekuq erdhi nga Komisioni i Disiplinës pas incidenteve të regjistruara në ndeshjen kundër Laçit në javën e fundit të Kategorisë së Parë. Takimi ndaj kryeqytetasve do të jetë i pari nga dy ndeshjet që Skënderbeu duhet të shlyejë pa spektatorë.

Po ashtu, sfida tjetër e rëndësishme mes Elbasanit dhe Vllaznisë në “Elbasan Arena” do të luhet pa tifozët. Skuadra e Elbasanit u dënua me dy ndeshje pa spektatorë dhe 500 mijë lekë gjobë për shkak të shkeljes së sigurisë dhe hedhjes së sendeve në sfidën ndaj Tiranës.

Masat disiplinore të marra nga FSHF-ja në maj kanë hyrë në fuqi me startin e edicionit të ri futbollistik. Mungesa e tifozërisë pritet të ndikojë në atmosferën e të dyja përballjeve kryesore të javës.