Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të hënë, ku një 37-vjeçare shtatzënë ka humbur jetën, ndërsa sipas të dhënave paraprake, nuk ka mundur të mbijetojë as foshnja që mbante në bark, në muajin e shtatë të shtatzënisë.
37-vjeçarja ishte paraqitur në spitalin e Pogradecit për shkak të problemeve shëndetësore. Pas konsultave dhe ekzaminimeve, mjekët kanë vendosur që ajo të transportohej drejt Tiranës, për të marrë trajtim më të specializuar.
Por gjatë rrugës, në afërsi të Elbasanit, gjendja e saj është rënduar. Sipas informacioneve paraprake, 37-vjeçarja ka shfaqur të vjella, ndërsa dyshohet se mund të ketë pësuar një hemorragji të brendshme.
Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e nevojshme, 37-vjeçarja ka humbur jetën gjatë transportit.
Rrethanat e plota të kësaj tragjedie mbeten ende për t’u zbardhur. Shkaqet e vdekjes pritet të përcaktohen pas veprimeve procedurale dhe kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të dokumentuar të gjitha rrethanat e saj.
