Banorët e Poliçanit kanë dalë sërish në protestë kundër shkrirjes së Bashkisë Poliçan, ndërsa gjatë tubimit është njoftuar edhe dorëheqja unanime e anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Sipas përfaqësuesve vendorë, dorëheqjen e ka deklaruar edhe lista pasardhëse e këshilltarëve.
Protesta u zhvillua në ditën e nisjes së programit “Besa”, ndërsa banorët shprehën pakënaqësi edhe për mungesën e deputetëve në Poliçan. Sipas tyre, përfaqësuesit politikë duhej të ishin të pranishëm për të dëgjuar shqetësimet e komunitetit.
Banorët dhe përfaqësuesit vendorë kundërshtojnë reformën e propozuar për riorganizimin e njësive të qeverisjes vendore, duke pretenduar se procesi po zhvillohet me nxitim dhe se pasojat për komunitetin mund të jenë afatgjata. Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Poliçanit, Mimoza Kula, deklaroi se kundërshtimi ndaj shkrirjes së bashkisë lidhet, ndër të tjera, me shqetësimin për humbjen e vendeve të punës dhe dobësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Jemi kundër një reforme që mund të sjellë dhe humbjen e vendeve të punës për shumë profesionistë dhe punonjës në administrata, shërbime e fusha të tjera, sepse pas çdo vendi pune është një familje, pas çdo shërbimi është një qytetar dhe pas çdo familjeje që largohet është një tjetër hap drejt zbrasjes së qytetit dhe territorit”, deklaroi Kula.
Ajo theksoi se kundërshtimi nuk lidhet me ruajtjen e godinës së bashkisë, por me institucionin dhe shërbimet që ai ofron për komunitetin.
“Ne nuk mbrojmë godinën, por mbrojmë institucionin. Këshilli Bashkiak, pasi zhvilloi takimet në njësitë administrative Vërtop, Tërpan dhe Poliçan, mori vendimin unanim të kundërshtojë shkrirjen e Bashkisë Poliçan”, tha Kula.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë nëse ecet përpara me shkrirjen e bashkisë.
“Ne nuk pranojmë që qyteti ynë të shkrihet. Nëse do shkrini Bashkinë e Poliçanit, ne do të vijojmë protestat”, deklaroi ajo.
Kula kritikoi gjithashtu mungesën e deputetëve në takimet me komunitetin, duke deklaruar se asnjë prej tyre nuk ishte i pranishëm në Poliçan.
“Sot është dita që deputetët do takonin e dëgjonin banorët, por asnjë deputet nuk erdhi në Poliçan, por shkuan vetëm në tre bashki të qarkut”, tha ajo.
Në përfundim të protestës, Kula u bëri thirrje edhe bashkive të tjera që mund të preken nga riorganizimi i propozuar që t’i bashkohen Poliçanit në protestat kundër reformës.
“Mos e bëni këtë reformë, e cila ka dështuar që në fillim. I bëjmë thirrje të gjitha bashkive të cilat rrezikojnë, të na bashkohen në protestën tonë, që do vijojë përpara Parlamentit. Besa është vota jonë, zoti Kryeministër, ne ua dhamë besën juve, por ju nuk e mbajtët besën ndaj nesh”, përfundoi Kula.
Nga informacioni i bërë publik nuk bëhet e ditur se kur do të zhvillohet protesta e paralajmëruar përpara Parlamentit.
