Dëgjesa publike e organizuar në Rrajcë për Reformën e Re Territoriale është shoqëruar me tensione, pasi banorët kanë kërkuar një qëndrim të qartë politik nga deputetët socialistë të zonës për ndryshimet që mund të prekin Bashkinë e Përrenjasit.
Takimi ishte parashikuar si një tryezë konsultimi me komunitetin për reformën e re, por diskutimet kanë kaluar në debate kur banorët u kërkuan deputetëve të PS-së, Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici, të deklaronin nëse ishin pro apo kundër planit të ri territorial.
Të pranishmit këmbëngulën që përfaqësuesit e tyre në Kuvend të mos kufizoheshin vetëm në dëgjimin e propozimeve, por të shprehnin publikisht qëndrimin e tyre për të ardhmen e Përrenjasit.
Muzhaqi dhe Komici nuk dhanë një përgjigje përfundimtare pro ose kundër, çka shkaktoi pakënaqësi mes pjesëmarrësve. Në krah të kërkesave të banorëve u pozicionuan ndërkohë deputetët e Partisë Demokratike të pranishëm në takim.
Debati u përshkallëzua, ndërsa banorët akuzuan se dëgjesa po zhvillohej vetëm për të përmbushur formalisht procedurën e konsultimit dhe pa marrë një angazhim konkret politik për shqetësimet e ngritura prej tyre.
Në përfundim, një pjesë e banorëve të Rrajcës e cilësuan dëgjesën të pavlefshme dhe, të pakënaqur nga mungesa e një qëndrimi të qartë, braktisën takimin.
