Në minutën e 90+4’, VAR-i ftoi gjyqtarin Erenis Çela të rishikonte një episod në zonën e Vorës. Pas pamjeve, ai akordoi penallti për Skënderbeun, duke shkaktuar protesta të forta nga vendasit. Bismark u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe vendosi shifrat 1-1. Gjatë rishikimit të pamjeve pati komunikime mes gjyqtarëve dhe stafit të Vorës.
Vendimi i Çelës solli tension të madh në fundin e takimit, ku nuk munguan as hedhja e sendeve mbi arbitrat kur po hynin Brenda.
– Një moment i veçantë u regjistrua para fillimit të ndeshjes, kur tifozët e Vorës shpalosën një koreografi në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së.
Në tribunë u shfaq një flamur me portretet e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Në banderolën përballë tribunës shkruhej: “Liria ka emër”. Në stadium u panë gjithashtu flamuj të Shqipërisë dhe Kosovës. Koreografia erdhi pas vendimit të shkallës së parë në Hagë, ku katër ish-drejtuesit u dënuan me gjithsej 81 vite burgim.
– Në stadiumin e Vorës u shfaqën edhe ish-futbollisti dhe trajneri Skënder Gega, së bashku me ish-drejtorin e Partizanit, Sokol Haxhiaj. Prania e tyre tërhoqi vëmendje, ndërsa mbetet për t’u parë nëse vizita lidhet me ndonjë lëvizje të mundshme në ditët në vijim./ Panorama Sport
