“Sponsori u tërhoq, nuk ka fonde”/ Sportistët e podiumit në Maratona e Korçës pretendojnë se mbetën pa shpërblim…

Nga Krenar Myrteza:

Dje në Korçë u zhvillua Gjysmë Maratona. Si dikush që kam qenë pjesë e atletikës për më shumë se 10 vite, normalisht vazhdoj të ruaj kontaktet dhe miqësitë me shumë sportistë.

Katër prej miqve të mi, sportistë që kishin ardhur nga qytete të tjera posaçërisht për të marrë pjesë në këtë garë, u ngjitën dje në podium. Sot mora prej tyre një informacion që, nëse konfirmohet, është vërtet i rëndë: u është komunikuar se nuk do të marrin shpërblimin e parashikuar për fituesit, pasi sponsori është tërhequr dhe nuk ka fonde.

Seriozisht?!

Dhe dua ta theksoj: nuk është çështja te lekët. Këta sportistë nuk erdhën në Korçë për t’u pasuruar nga një çmim gare. Është çështje respekti, korrektësie dhe dinjiteti ndaj sportistit.

Nëse shpall një garë, vendos çmime dhe fton sportistët të konkurrojnë, nuk mund t’u thuash pasi kanë vrapuar dhe kanë dalë fitues se fondet nuk janë më. Problemet me sponsorët apo organizimin nuk mund t’u transferohen sportistëve pasi gara ka përfunduar.

Korça pretendon dhe duhet të synojë që në edicionet e ardhshme të tërheqë sportistë elitarë nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë. Por reputacioni i një gare ndërtohet pikërisht nga mënyra se si trajtohen sportistët. Një atlet që largohet i zhgënjyer sot, nesër ia tregon eksperiencën e tij dhjetëra të tjerëve.

Më vjen akoma më keq sepse deri dje isha ndër ata që e përgëzoja aktivitetin. Gabime teknike, mangësi organizative apo probleme gjatë një edicioni mund të ndodhin dhe mund të korrigjohen. Por vlerësimi dhe shpërblimi i sportistëve duhet të jetë i paprekshëm.

Nëse informacioni që më është përcjellë nga sportistët është i saktë, kjo është një situatë që duhet korrigjuar menjëherë. Jo për shumën e parave, por për respektin ndaj atyre që erdhën, konkurruan dhe e merituan vendin e tyre në podium.

Sportisti nuk duhet të paguajë faturën e problemeve të organizatorit apo sponsorit.

Si ish-atlet i qytetit të Korçës, do të më vinte realisht turp që dikush të largohej nga qyteti im me këtë përshtypje.

Direkt pas publikimit me kane ardhur shume mesazhe dhe me kane bere per lolo sepse nuk kishte asgje publike lidhur me cmimet.
Nderkohe kategorite dhe cmimet jane postuar para disa ditesh ne Instagram tek faqja zyrtare e eventit. (Besoj se ky eshte). Fotoja me eshte derguar nga nje mik, ku ja kane derguar sportisteve per te marr pjese si postim lidhur me cmimet etj.
Pra, ne momentin qe eshte bere publike ne instagram i bie qe supozohej te jepeshin?! Postimi me pas eshte fshire dhe me eshte thene nga shume veta qe nuk ka asgje publike por isha i sigurt qe e kisha pare diku!
MËSONI TË GËNJENI!

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.