Një ndryshim i rëndësishëm pritet të prekë të gjithë drejtuesit e automjeteve në Shqipëri. Projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm motorik parashikon që automjetet të vijojnë të kenë mbulim sigurimi edhe për 15 ditë pas skadimit të policës.
Por kjo periudhë shtesë mund të rezultojë e kushtueshme për drejtuesit e mjeteve, veçanërisht në rast se shkaktojnë një aksident.
Sipas nenit 8 të projektligjit, kontrata e sigurimit do të zgjatet automatikisht për 15 ditë pas përfundimit të afatit, nëse drejtuesi nuk ka njoftuar kompaninë të paktën tri ditë përpara se nuk dëshiron rinovimin e saj.
Pra, nëse siguracioni i një automjeti përfundon më 30 nëntor, mbulimi mund të vijojë deri më 15 dhjetor.
Por këtu vjen edhe pika më e rëndësishme e projektligjit.
Nëse gjatë këtyre 15 ditëve drejtuesi shkakton një aksident, ai detyrohet të paguajë primin e sigurimit për të gjithë vitin pasardhës.
Për shembull, nëse polica vjetore kushton 20 mijë lekë dhe aksidenti ndodh vetëm pesë ditë pas skadimit të siguracionit, drejtuesi do të ketë detyrimin të paguajë primin për të gjithë periudhën e ardhshme vjetore.
Një tjetër situatë e parashikuar në projektligj lidhet me drejtuesit që vendosin të ndryshojnë kompaninë e sigurimit gjatë periudhës 15-ditore.
Në këtë rast, kompania e mëparshme mund të kërkojë pagesën për ditët gjatë të cilave ka vijuar të ofrojë mbulim. Kjo shumë llogaritet proporcionalisht me kohëzgjatjen e sigurimit dhe jo si pagesë për një vit të plotë, për sa kohë nuk ka ndodhur një ngjarje sigurimi që aktivizon detyrimin e parashikuar në ligj.
Projektligji parashikon gjithashtu që kompanitë e sigurimit të njoftojnë institucionet përgjegjëse për përfundimin e mbulimit të automjeteve brenda 15 ditëve nga konstatimi.
Ndryshimet janë pjesë e reformës së sigurimit të detyrueshëm motorik, që synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian.
Pra, 15 ditë shtesë mbulim, por jo pa kosto! Për drejtuesit e automjeteve, një aksident gjatë kësaj periudhe mund të sjellë një detyrim të konsiderueshëm financiar. Projektligji është në fazën e propozimit…

