Sot do i jepet lamtumira e fundit policit Enea Mekolli. Në homazhe të pranishëm ishin edhe prindërit e 34-vjeçarit, bashkëshortja dhe djali i tij 8 muajsh, i cili do të rritet me krenarinë për babain e tij, dëshmorin më të ri të atdheut, që ndoqi të njëjtën rrugë si vëllai i tij polic, i ndarë nga jeta vetëm gjashtë muaj më parë.
Dhimbja e familjes Mekolli është e dyfishtë dhe e pazëvendësueshme.
Brenda pak muajsh, ata kanë humbur dy djem, dy jetë të lidhura me uniformën dhe shërbimin ndaj qytetarëve, duke lënë pas një boshllëk që nuk mbushet dot dhe një plagë që nuk mbyllet kurrë.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një operacioni policor për kapjen e 43-vjeçarit Violand Braçellari në fshatin Lozhan, i shpallur në kërkim dhe i dënuar për vepra të rënda penale. Gjatë ndërhyrjes së forcave të Policisë së Shtetit, ai hapi zjarr ndaj efektivëve, ku si pasojë mbeti i vrarë Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij, ndërsa autori u neutralizua dhe u arrestua.
Familja e policit të vrarë dje në Maliq, Enea Mekolli, ka pritur sot në ceremoninë e homazheve zyrtarë të lartë që kanë shkuar në nderim të tij.
Xhaxhai i viktimës, teksa ka takuar Presidentin Bajram Begaj, i është drejtuar atij duke i thënë se shteti duhet të marrë masa, pasi po vriten djemtë.
“E latë këtë vend në dorë të kriminelëve.
Na mbylli derën, mos i lini kriminelët. Ka pasur tri herë tentativa për ta arrestuar. Duhet të merrni masa, po na vrasin. Bëhuni të zotë. E latë këtë vend në dorë të kriminelëve, po sundojnë kriminelët në çdo cep të Shqipërisë. Nuk dominon policia, por dominon krimi. Na fundosët. Na çuat në fund. Nuk kishte masa mbrojtëse”, i thotë ai me lot në sy.
Me dhimbje të thellë dhe mes lotëve të familjarëve, gruas së dij dhe djalit 8 muajsh, miqve, kolegëve dhe qytetarëve, i është dhënë sot lamtumira e fundit “Dëshmorit të Atdheut”, Enea Mekolli, efektivit të Policisë së Shtetit që humbi jetën gjatë një operacioni për kapjen e Violand Braçellarit.
Homazhet në nderim të tij po zhvillohen pranë Qendrës Kulturore të Pogradecit, ku qindra njerëz janë mbledhur për të përkulur kokën para sakrificës së tij.
Atmosfera është e rënduar nga dhimbja, ndërsa lotët dhe emocionet kanë shoqëruar çdo moment të ceremonisë. Kolegët e tij, të prekur thellësisht nga humbja, kanë kujtuar Enea Mekollin si një profesionist të përkushtuar dhe një njeri me vlera të larta, i cili dha jetën në krye të detyrës. Homazhet nisën në orën 10:00 dhe do të vijojnë deri në orën 12:00.
Pas ceremonisë së nderimeve, trupi i pajetë i Enea Mekollit do të përcillet për në banesën e fundit në orën 14:00, në fshatin Blacë. Aty, mes dhimbjes së familjes dhe respektit të gjithë komunitetit, ai do të prehet përgjithmonë, duke lënë pas kujtimin e një efektivi që sakrifikoi jetën në shërbim të sigurisë së qytetarëve.
Gazetarja e News 24, Xhensila Kodra ka dhënë detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Lozhan të Maliqit, ku pas një përplasjeje me armë mbeti i vrarë një oficer policie dhe u plagos një tjetër. Gazetarja tregoi dinamikën se si policia arriti të binte në gjurmët e të shumëkërkuarit 43-vjeçar, Violand Braçellari, i cili ishte fshehur prej kohësh në një zonë të pyllëzuar dhe të izoluar.
Sipas gazetares, gjithçka nisi vetëm një ditë më parë, pas një debati mes autorit dhe një personi të punësuar prej tij.
Braçellari kishte ndërtuar një bazë fshehjeje në zonën e Lozhanit, ku merrej me aktivitete bujqësore dhe blegtorale pa rënë në sy të autoriteteve.
Sipas gazetares, autori kishte nisur të krijonte një stallë apo disa stalla me bagëti në zonën e Lozhanit dhe disa sera ku kultivonte perime. Ai jetonte aty vetëm me nënën e tij.
Pikënisja që çoi në zbulimin e vendndodhjes së të shumëkërkuarit ishte pikërisht një çoban, të cilin 43-vjeçari e kishte punësuar vetëm dy javë më parë.
“Një çoban që ishte punësuar nga ai prej 15 ditësh ishte pikënisja që çoi në identifikimin e kësaj zone nga policia. Çobani kishte kërkuar të largohej për disa orë nga vendi i punës për të takuar prindërit. Ai i kishte kërkuar edhe një shumë parash që ky i detyrohej. Këtu ka nisur një debat i ashpër mes të dyve,” zbuloi gazetarja.
Pas kërkesës për lekët e punës, Violand Braçellari ka humbur kontrollin duke e kërcënuar punëtorin e tij me jetë.
“Ai e ka kërcënuar me jetë që të largohej nga aty pas debatit dhe nën kërcënimin që nuk do t’i jepte asnjë para për 15 ditët e punës. I trembur, çobani ka shkuar në policinë e Korçës dhe e ka denoncuar, por pa e ditur se kishte të bënte me një person të shumëkërkuar nga policia.
Në këto kushte, policia bëri kërkimet e saj në sistem dhe rezultoi se bëhej fjalë pikërisht për personin e kërkuar” – tha gazetarja.
Pas këtij informacioni, policia organizoi operacionin për arrestimin e tij, i cili fatkeqësisht u përgjak duke shënuar humbjen e jetës së një oficeri në krye të detyrës dhe plagosjen e një tjetri.
Arsyeja nuk është vetëm Zvërneci, apo Rjolli, apo shumë vende të tjera që po grabiten.
Korçarët duhet të dalin për jetën e vështirë që sa vjen dhe bëhet akoma më e rëndë.
Të Protestosh për çdo padrejtësi që po na bëhet, do të thotë të mposhtësh frikën që të ka kapluar, që të ka marrë guximin, të ka hequr fytyrën,të ka bërë individualist, servil apo hipokrit përpara kësaj gjendjeje që çdo ditë e më keq po e shikojmë dhe po e jetojmë.
Korça të Protestojë për rrogat e ulëta, të Protestojë për pensionet qesharake, të Protestojë për ushqimet e shportës që nuk i përballojnë dot, të Protestojë për naftën, për çmimin e energjisë, më të lartin në Ballkan, për ujin që e paguajmë dy herë me sahatët që tenderuan.
Të Protestosh për familjen dhe fëmijët që duan t’i shkatërrojnë. Të Protestosh për ato ligje që ata të cilëve u dhamë votën, i kalojnë në Parlament pa na pyetur nëse jemi dakord apo jo. Ato ligje që janë në favor të pushtetit dhe në dëm të popullit.
Të Protestosh ti, biznes i vogël, për taksat që të kanë vënë, për gjobat që merr.
Të Protestosh edhe ti që të detyruan të vesh çadra jeshile, kur i paguan nga xhepi yt. Protesto edhe ti që të kërkojnë çadra apo tenda të kuqe, sepse edhe ti paguan taksa.
Protesto edhe ti që të kanë vënë para lokalit një vijë të kuqe apo të verdhë, duke të thënë: “Guxo dhe shkele”. Nëse e bën, të vijnë andartët me bllokun në dorë. Protesto edhe ti që të hoqën nga puna sepse nuk ishe i përdorshëm.
Protesto edhe ti që të premtuan punë kur e meritoje dhe vendin ta zuri një patronazhist injorant që di të thotë gjithmonë “po”.Të Protestosh edhe ti që sillesh vërdallë zyrave dhe të vërtitin duke ta bërë problemin edhe më të madh. Të Protestosh edhe ti, korçar, që ke kaq vite që endesh gjykatave dhe nuk e di akoma se kur do të mbarosh.
Protesto edhe ti që je në administratë, se shpirti dhe jeta jote nuk janë në dorën e këtyre. Nëse e quani veten të lirë, Protesto për çdo padrejtësi që të bëhet në punë apo në jetë.
Më beso, më shumë do të të duan nëse ngre zërin, sepse janë më frikacakë sesa e mendoni.
Guxoni ta bëni në shesh, por jo në tavolina, duke përmendur çdo padrejtësi të jetës.
Protesto edhe ti për kushtet e spitalit apo ilaçet që të mungojnë. Protesto edhe ti për gjobat e makinës që vetëm në Korçë thyejnë rekorde.
Protesto edhe ti, tjetri, që të thanë: “Merr kredi të bësh hotel, se do të plasë turizmi”, ndërsa sot shteti nuk të ndihmon të të lehtësojë investimin e hedhur apo të të zbusë taksat, të paktën pjesën më të madhe të tyre.
Protesto edhe ti, biznes i madh, që po të shohin vetëm si limon me lëng për të të shtrydhur sa më shumë.
Kur të kërkojnë të jesh në rregull me çdo kusht, të tregojnë masat e dënimit, por nuk të plotësojnë asgjë nga ato që e kanë për detyrë,që nga futja e ujit, kanalizimet, rruga e plot të tjera.
Protesto edhe ti, korçar, që i kishe fëmijët këtu dhe i degdise jashtë për një jetë më të mirë, dhe nuk dihet kur do t’i shikosh përsëri. Sepse këtu nuk funksionon meritokracia, por miqësia patronazhiste.
Protesto edhe ti që fëmija yt nuk merr lekët e bursës, megjithëse është më i miri, duke u tallur me djersën dhe mundin e tyre. Protesto për aty ku jeton, për ushqimet e skaduara, me pesticide vrasëse, të pakontrolluara.
Protesto për ata varfanjakë që, pa iu hyrë politikës, te zinte e qara, ndërsa sot janë bërë me roje, me shoferë, me vila dhe apartamente, sepse kanë vjedhur taksat tona, kanë abuzuar me çdo leje ndërtimi, me çdo tender, me çdo fond apo grant që ka qenë për ne, për ju o popull.
Dhe në emrin tuaj ata pasurohen çdo ditë, duke ju vjedhur, ndërsa ju u buzëqeshni edhe kur nuk e kanë mendjen.
Protesto edhe ti nga fshati, që nuk të kompensuan asgjë nga çfarë të gënjyen se do të merrje. Për asnjë ndihmë që ta premtuan në fushatë. Për tokat, për blegtorinë, për pemëtarinë… çfarë? Asgjë! Prandaj dil dhe Protesto, derisa zëri ynë të bëhet bashkë dhe i fortë kundër këtyre minjve brejtës që nuk lanë asgjë pa futur hundët dhe pa vjedhur.
Protesto dhe mos u tremb nga çdo legen, që ti, unë, ne të gjithë, ua njohim mirë suratet, dimë kush janë, njohim karakteret dhe cinizmin e tyre, ligësinë që ua lexon në fytyrë dhe çdo gjë që i karakterizon.
Kur ndërkohë ky qytet ka djem dhe vajza plot të aftë, të shkolluar, intelektualë, familjarë të edukuar, që kanë çarë vetë në jetë falë zotësisë së tyre.
Pikërisht për këtë duhet të protestojmë,të ikin këta që e bënë Korçën pronë të tyre dhe të vijnë njerëz të rinj që vërtet e duan qytetin, shembuj kemi plot.
Korça, si shembull që është në arsim, kulturë dhe qytetari, duhet të tregojë se edhe ne Protestojmë ndryshe për problemet që sa vijnë dhe po na shtohen.
Protesto per të gjitha padrejtësitë që unë nuk i përmenda dot të gjitha, por ju të gjithë i kini në mëndjet dhe në jetën tuaj, duhet tu tregojmë që të fortët jemi ne, jo ju minj që asnjeherë nuk mendonit të ishit këtu duke na grabitur cdo gjë këtij qyteti për xhepat tuaj.
Kur e pa drejta bëhet ligj, paligjshmëria bëhet detyrë!
Sot -unë, ti, ai, ajo që po më lexon e ke mundësinë të shkosh të vizitosh atë lagunë. Të bësh foto, të ulesh në breg të meditosh apo edhe të lahesh atje ku është e mundur ! NESËR JOO ! Nuk nuk do i kemi më këto mundësi !
Pse ?! ●Sot pa filluar mirë na u hoq drejta e informacionit se çfarë po ndërtohet dhe kush po e ndërton! U vendos Tabela me flamurin shqiptar NDALOHET HYRJA RESPEKTO ! U vendos Tabela me flamurin e Izraelit “הכניסה אסורה כבדו זאת.!
Pas protestës doli emri i kompanisë së parë, regjistruar në Shqipëri (pa kapital).Dolën 3 kompani nënkontraktore (pa kapital) Dolën dy shtetas holandezë përfitues (njëri rus e tjetri bullgar) që kanë nga një kuti postare vetëm në Hollandë.
Vijnë 195mln$ e para nga dy vëllezër nga Katari. ●Nuk ka transparencë fare se kush po investon realisht …! ●Sot u vendos gardhi me tela rrethore me gjemba si ato të reparteve ushtarake të kohës moderne.Pas protestës u hoqën telat. Sot nuk hyn më në një sipërfaqe mbi 450 hektarë.Ku brenda ka “Monumente Natyre” Pronë Shtet 39ha.
Sot nuk shkojmë dot si shkonim deri dje pa u rrethuar prona dhe Bregdeti i lagunës! ●Një tokë shqiptare , një lagunë me sipërfaqe të madhe sepse shtohet edhe sipërfaqja ujore Pronë Shtet nuk do jetë më e aksesueshme për ne.
Arsyeja është e thjeshtë :Sot na pengon vetëm gardhi nesër do na pengojë Çmimi që duhet paguar për të hyrë në atë resort ! Sdo ketë pagesë hyrje por status të lartë klienti pa të hysh !
Resorti do jetë për njerëzit super të pasur e jo për Popullin, as për komunitetin e zonës ! Tamam anës detit i palarë…
●Një shembull real bindës ! Vjet pata fatin të zbuloj një tokë shqiptare por të “ndaluar” për Popullin shqiptar! Një super resort (shumë miliona euro investim) që fillonte nga mali lart dhe zbriste tek bregu i ujit të detit. Pronari po paguante një të punësuar shqiptar : “Na rropët !” – foli burri që bëri pagesën cash me buzëqeshje. Unë kalova ngjitur dhe fola po me buzëqeshje : pa këta dhe duart e tyre nuk mbahet ky biznes.
U habit kur dëgjoi shqip ; Taksixhi je, solle turistë?
Jo- i thashë jam vetë turist ! Unë jam pronari- dhe unë nuk punoj me shqiptarë , prandaj mos më thuaj se jam shqiptar.
Nuk kam asnjë shqiptar në hotel ! Do tju nxjer ID ?! Mbeti i habitur – nga cili shtet është bërë pagesa ?
Nga Australia – i thashë.Po-tha,janë 3 dhoma me australianë! Një dhomë është për mua dhe gruan i thashë.
E shikon që nuk vjen nga Shqipëria.Shqiptarët nuk kanë këllqe të hyjnë këtu është shtrenjtë dhe nuk punoj fare me prenotime nga Shqipëria ! Nga Korça jam i thashë dhe në Korçë jetoj ! Në fillim vazhdoi me tregimin e investimit gjigand, nga ato për të cilat një miku im thotë paratë kanë shkuar me kamion, me thasë nuk arrijnë.
Poshtë sheshit parking sipër, (poshtë malit) kushedi sa makina mund të parkoheshin, kuptohet makina vip që mos meret vesh se kush ishte në resort.Edhe lulet dhe palmat të importuara… -Edhe personelin prej 150 të punësuar, e kam të huaj, pak kam shqiptarë -tha.Keni bërë super investim Bravo, ta gëzoni ! Faleminderit!- tha.
Pasi u bind që isha vërtet banor i Shqipërisë, e mori “kthesën” menjëherë.Me kredi e kemi bërë ! Nuk të pyeta se si e keni bërë i thashë, ta gëzoni.(po me “kredi” thashë me vete) Duke vazhduar pak më tutje pashë një tabelë 3D super të madhe (shumë herë më të madhe se ajo që ka vetë banka) në një faqe të madhe muri me emrin e një banke (flitet që e ka Byroja lart).
E kuptova që emri i bankës ishte vendosur që mos shkelte për kontroll asnjë institucion kontrolli shqiptar!!! Ajo tabelë sa hyje dhe dukej kur ktheje makinë duhet ta lexoje “Ndalohet Kontrolli!
Kur u ktheva në Korçë pa dashje dikush më dha infirmacion: toka është dhënë si investitor strategjik me vetëm komplet 1 € /vit ! Atje vetëm prona kushtonte miliona € po të blihej nga privatët- doli se ishte Pronë Shtet !
Pra të nderuar atje hyra “gabimisht” në një tokë shqiptare “PRONË SHTET” të ndaluar për shtetasi shqiptarët ! Pasi kishim ikur ne, në një moment “piku” një fugon i Policisë së Shtetit kishte bërë shërbim 24 orësh në dera, shumë ditë mos hynte asnjë tjetër përveç të huajve turistë, për të siguruar rendin !
Pashë dhe dëgjova ç’mund të dëgjosh në një tokë të mbyllur për komunitetin. Rethuar dhe e survejuar me kamera me roje në hyrja, trupa 2 metro në dera ku pyetesh për rezervimin (në gjuhën e huaj), rojet flisin me recepsionin në radio bëhej konfirmimi pa hapej trari të hynte makina!
●Po nesër në Zvërnec, në super Resort gjigand ku do pushojnë sheikët, miliarderët e botës dhe oligarkët tanë. Ne as në TV nuk do kemi mundësi ta shohim jo më të shkelim të fusim këmbët në ujë siç i fusin sot banorët e komunitetit apo dhe ne të tjerët Popull i zakonshëm. S’do ketë tabelë Ndalohet Hyrja por NDALOHEN ATA QË NUK KANË SHUMË PARÀ !
●Prandaj nesër do protestoj edhe unë në orën 18 në Korçë ! Kam edhe shumë arsye të tjera që i kam shkrojtur përditë shumë e shumë herë !
●Më pyeti një shok sot : Po për Sazanin Çmendim ke ? Sazani është gjysma e së keqes, po e mori Ivanka e le të investojë (jo ta blejë por me koncesion). Le të shkojnë sheikët dhe miliarderët- është ishull dhe nuk shkelet me këmbë nga Populli që ta ndjejë NDALIMIN E TIJ !
Protestuesit në Tiranë janë të qartë: Ata janë kundër të gjitha partive politike. Madje edhe Arlind Qorit dhe Agron Shehajt, që po dalin përditë në protestë.
Këtë gjë e tregojnë dhe pankartat e protestuesve.
Ata nuk duan në shesh, asnjë prej partive politike.
Avokati Ylli Manjani, i ftuar në Euronews Albania, ka shpërthyer ndaj një pjese të protestuesve që, sipas tij, e kanë sharë dhe ofenduar në rrjetet sociale dhe në telefonin e tij. Manjani, i pyetur nga moderatorja Erla Mëhilli në lidhje me protestën, tha se nuk e kishte ndjekur atë dhe u dha një mesazh atyre që e ofendojnë.
Ndërsa më tej, edhe vetë juristi nuk i kurseu sharjet dhe ofendimet e rënda ndaj një pjese të protestuesve.
Debati:
Mëhilli: Si e ke parë protestën?
Manjani: S’e kam parë fare deri më tani, me thënë të drejtën. Kam marrë vesh se ka pasur një protestë, erdha këtu dhe e pashë, por s’më ka dhënë asnjë emocion.
Mëhilli: Si nuk të jep emocione?
Manjani: Nuk më jep, çfarë problemi ka? Dhe më tepër, kur disa prej tyre kanë marrë guximin të më shajnë në telefonin tim me rob shpie, robt ku t’i kenë. Ja, po e filloj kështu…
Mëhilli: Të ruajmë etikën.
Manjani: Etikën ta ruajnë ata, se kurva e kurvarë, po e përdor tani, ata legenë, pisa, qelbësira, të cilët trashin gjuhën në mënyrë private. Ata që kanë marrë përsipër të më shajnë në telefonin tim, janë të sharë deri në brezin e tretë, se s’po çoj më shumë. Ku t’i kenë! Hajdeni tani me gjithë protestë, se s’dua t’ia di fare.
Mëhilli: Na kanë sharë të gjithëve.
Manjani: Nuk i kam askujt borxh. Unë dhe familja ime s’i kemi borxh askujt. Kjo dhunë është pisllëk.
Familja Mekolli e cila sot humbi djalin, Enean, kërkon që ai të prehet në varrezat e vendlindjes. Si efektiv i Policisë së Shtetit, 34 vjeçari sot ra në krye të detyrës teksa bashkë me kolegët përpiqeshin të arrestonin një kriminel të kërkuar.
Enea Mekolli ka rënë në krye të detyrës dhe sipas ligjit, ai merr automatikisht statusin “Dëshmor i Atdheut” dhe duhet të prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, por familja e kundërshton këtë fakt.
Ata kërkojnë që trupi i Eneas të prehet përjetë pranë vëllait të tij, i cili ka qenë gjithashtu efektiv i Policisë së Shtetit, por është ndarë parakohe nga jeta për shkak të leuçemisë.
Ka qenë pikërisht dëshira dhe amaneti i vëllait që Enea Mekolli të vishej me uniformë dhe 34 vjeçari ashtu kishte bërë. Pasi ndoqi të gjitha fazat, u bë pjesë e Policisë së Shtetit dhe ngjiti një nga një shkallët e karrierës, 34 vjeçari ishte zgjedhur efektiv i “Shqiponjave”.
Sot, në orët e para të mëngjesit ai ra viktimë e dorës së krimit dhe pritet që Ministria e Brendshme të marrë të gjitha masat për t’i dhënë statusin e dëshmorit, ndërsa me ceremoninë e varrimit nuk dihet si do të veprohet.
Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Maliq, ku mbeti i vrarë në krye të detyrës efektivi Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij, ka sjellë një reagim të fortë edhe nga qytetarët në kryeqytet. Gjatë tubimit të rradhës, protestuesit kanë nderuar dëshmorin e Policisë së Shtetit.
Nga rreshtat e parë të tubimit, protestuesit i janë drejtuar kordonit të policisë që ndodhej përballë tyre, dhe u kanë dhuruar lule policëve të pranishëm.
Në një mesazh mjaft prekës dhe të drejtpërdrejtë, protestuesit kërkuan që të gjithë të pranishmit, përfshirë edhe vetë uniformat e kaltërta, të bashkoheshin në një minutë heshtjeje për tragjedinë e ndodhur në Maliq.
Çështja e protestave në Zvërnec dhe projekti i investimit turistik në zonë janë tema akutale në vend, dhe deputeti socialist Ardit Bido paraqiti qëndrimin e tij mbi situatën. Sipas Bidos, debati përfshin dy grupe me interesa të ndryshme. Nga njëra anë janë banorët që pretendojnë të drejta pronësie mbi tokat dhe kërkojnë zgjidhjen e çështjeve të tyre, ndërsa nga ana tjetër, sipas tij, ndodhen grupime që kundërshtojnë realizimin e projektit turistik në vetvete.
”Kemi dy realitete.
Një realitet është që banorët kanë pretendim pronësie se një privat u ka marrë tokën dhe ata e duan pronën që të zhvillohet.
Kemi edhe realitete tjetër që nuk duan zhvillimin: janë ambientalistët që janë kundër zhvillimit, janë anti-kapitalistët me ideologjinë marksiste, kemi edhe një revoltë qytetare njerëzish që nuk u përkasin këtyre kategorive, të cilët sot e kanë kanalizuar keq protestën. Nëse është një protestë kundër një investimi 4 miliard dollarësh që i vjen Shqipërisë, atëherë kjo është në dëm të Shqipërisë”, tha Bido.
Sipas deputetit socialist, kundërshtimi ndaj projektit nuk mund të shihet i shkëputur nga interesat ekonomike që preken nga zhvillimi i turizmit elitar në Shqipëri. Duke përmendur dhe listuar reagimet nga Greqia dhe eurodeputeti Fredi Beleri, Bido tha se Shqipëria nuk mund t’i mbyllë sytë para sulmit që po bëhet ndaj projektit. ”Këtu duhet të shohim kush janë ato vende që kanë interes.
Kanë interes ato vende që kanë turizëm elitar dhe që do t’u merrej turizmi elitar. Greqia qahet sot se do t’i iki turizmi nga Korfuzi dhe Kefalonia, do t’i merret një 20% në Vlorë, ndërsa Shqipëria do të ketë miliona euro të ardhura përveç këtyre 4 miliard euro.
Ne pamë një reagim të menjëhershëm të qeverisë, opozitës, eurodeputetit Beleri, që në mënyrë të ashpër folën për minoritet të dhunuar në Zvërnec e Nartë e folën kundër zhvillimit të projektit. Nuk mund t’i mbyllim sytë”, u shpreh ai.
Bido shkoi edhe më tej, duke pretenduar se opinioni publik po ndikohet nga një fushatë e organizuar në rrjetet sociale kundër investimit. Sipas tij, pas debatit online që shoqëron protestat fshihen qindra e mijëra llogari të rreme dhe interesa që synojnë bllokimin e projektit. ”ä
“Janë hapur mbi 1000 IP që ne na nxjerrin tradhtarë dhe patriot nxjerrin ata që luftojnë për karkalecin dhe për insektet e Nartës.
Publiku është i gënjyer në kuadër të një lufte hibride që po zhvillohet nga rrjete dhe llogari të rreme në rrjete sociale, që pompojnë heqjen e investimit dhe interesin ekonomik të Greqisë. Unë jam kundër protestës sepse është kundër interesit kombëtar, kundër 4 miliard eurove se është çmenduri. Kjo luftë hibride po shfrytëzohet nga opozita dhe partitë e vogla oportuniste”, deklaroi ai.
Reperi Rigels Rajku, i njohur ndryshe si Noizy, ka reaguar ashpër ndaj protestuesve kundër projektit në Zvërnec. Noizy, i cili njihet edhe si mbështetës dhe përfitues i qeverisë Rama, ka shpërthyer me një fjalor të rëndë, duke thënë se qytetarët të mos bëjnë si moralistë, por kush do ndryshim të dalë në protestë.
Sipas tij, është duke e shitur njeri Shqipërinë dhe për këtë qytetarët duhet të rrini të qetë. Ai ka sjellë edhe shembuj, ku deklaron se në Durrës ka mjaft shtetas të huaj që kanë blerë prona në Durrës.
Por pas pak reperi e ka fshirë postimin e tij nga Instagrami.
“Na keni ruj lesht..Kush do ndryshim dilmi protest mo na boni si moralista si shumë se na keni ca K****. Nuk o tu e shit njeri Shqipërin rrini të qet…Unë njoh shumë polak e rus e grek e gjerman e austriak që kanë ble toka shtëpia e prona në Durrës, e ca don me thon kjo?
Tashmë e dini që ka protest, dilni aty dhe mbylleni bucën.
Kush ka prona atje dhe kujtime me atë vend dilni në protest. Unë nuk i besoj përallat që po shitet Shqipëria te Izraeli, prandaj nuk dal në protestë e as skam me dal. Madje unë jam pro investimit gjigand për Shqipërinë”,thuhet se ka shkruar Noizy në reagimin e tij.
Në një konferencë për shtyp ku ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Skënder Hita bëri me dije se ka nisur një hetim për procedurat hetimore lidhur me Violand Braçellarin, autorin e vrasjes së efektivit në Maliq të Korçës. Lidhur me operacionin, Hita tha se efektivët ishin të pajisur me jelek antiplumb, por arma kallashnikov që ka përdorur autori, ka përshkuar tejpërtej edhe antiplumbin.
Ai bëri të ditur se strukturat e përfshira në aksion ishin forcat e specializuara “Shqiponja”, të trajnuara për operacione me rrezikshmëri të lartë.
Sipas kreut të Policisë së Shtetit, efektivët kishin kryer instruktazhin përkatës para ndërhyrjes dhe ishin të pajisur me jelekë antiplumb dhe me të gjitha mjetet mbrojtëse të nevojshme.
“Nuk ishim në dijeni. Nëse do të ishte kërkuar një shqyrtim i plotë i të gjithë rastit, patjetër që do të ishin marrë masa më të forta. Punonjësit e Policisë së Shtetit janë të trajnuar sipas ligjeve dhe procedurave në fuqi. Në këtë rast kanë qenë të angazhuara strukturat më të specializuara, forcat ‘Shqiponja’, të cilat kishin për detyrë realizimin e operacionit.
Kanë qenë 40 efektivë policie në terren dhe të gjithë ishin të pajisur me jelekë antiplumb, sipas standardeve që kërkon një operacion i tillë. Megjithatë, arma kallashnikov e përdorur nga autori ka depërtuar tejpërtej jelekut antiplumb. Para nisjes së operacionit është kryer edhe instruktazhi i nevojshëm për të gjithë efektivët”, u shpreh Hita.
Efektivi i Policisë së Shtetit, Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë operacionit policor në Lozhan të Maliqit, ku humbi jetën kolegu i tij Enea Mekolli, ndodhet në gjendje më të mirë shëndetësore.
Mesohet se 36-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në nofull, e cila ka rezultuar e suksesshme. Pas operacionit, gjendja e tij është stabilizuar dhe ai vijon të mbahet nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga ekipi mjekësor.
Ndërkohë, në Spitalin e Traumës po trajtohet edhe Violand Braçellari, i dyshuari për ngjarjen i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa do të vazhdojë të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve deri në përmirësimin e plotë të gjendjes së tij.
Po ashtu, mësohet se autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë në ambientet e spitalit, me qëllim parandalimin e çdo incidenti të mundshëm mes familjarëve të palëve të përfshira në ngjarje.