Analiza më e qëlluar, e shkruar nga Fan Noli, për shqiptarët 1924

 

Noli është nga ato figura komplekse që rrallë mund ta kuptosh, pasi gjithmonë ka diçka të fshehur brenda çdo fjale.

Në gjithë fjalimet që Noli ka mbajtur, është vlerësuar shumë realiteti që ai shpreh dhe mënyra e mendimit dhe perceptimit të tij.

Ndaj edhe sot do të flasim për një nga fjalimet e tij të mbajtur para Parlamentit të Shqipërisë në vitin 1924, ku tregon për pesë anarkitë që ka Shqipëria. Ja si shprehet ai:

“Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i të pesë anarkive:

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme, që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve dhe oxhakët më të vjetër, kur anëtarët e kësaj partie lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë lëftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkreptuar anembanë Toskërinë; këtu, si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet janë të errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Selaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…”

*(Pjesë nga fjalimi i mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 1924, por që tingëllon njësoj aktual edhe sot)

 

TRIKOTAZHI ME FAMË, Si u bë Korça “kryeqytet”, i industrisë shqiptare

 

Ideja ishte fantastike. Por ajo duhej materializuar. Dhe sigurisht duheshin blerë makineritë. Nazima Ypi, i cili ishte specializuar në Gjermani për tekstilet e trikotuara, blen makineritë e para në vendin perëndimor. Në fillim ato ishin manuale dhe më pas u zëvëndësuan me makina moderne.

Kapitalin fillestar e siguruan nga shitja e pronave të Ali Alizotit dhe Nazima Ypit. Fillimisht fabrika do fillonte veprimtarinë para shtëpisë së Memeda Shtyllës dhe më vonë në ndërtesën e Sabri Qytezës. Më pas u ndërruan në disa vende të tjera.

Për të punuar u zgjodhën disa teknologë të njohur dhe u përzgjodhën zonjushat e ardhura nga Greqia madam Gjylatër zonja Dikrani, zonjushat Agavni, Siranush (bija e madam Gjylaterit, modeliste) etj. Zonjat në fjalë ishin me origjinë nga krahina e prodhimit të sixhadeve të Armenisë.

Fillimisht filluan të prodhoheshin sixhade. Por tregtia e sixhadeve në atë kohë nuk ecte dhe u mbyll.

Rreth viteve 30, po në Korçë, Nazima Ypi krijoi edhe një fabrikë tjetër trikotazhi me Fadil Garon dhe Ismail Kapshticën, meqenëse linja e sixhadeve nuk e pati suksesin e pritur.

Ndërkohë Madam Gjylatëri, u caktua mësuese në “Shkollën Qytetëse të Vajzave” në Korçë. Këtu ajo përgatiti dhjetëra kuadro, të cilat punuan më pas si specialiste në punishten e sixhadeve të Korçës që drejtohej nga Garo Avakian, pinjoll nga familjet armene te sjella për fabrikën e trikotazheve.

Fabrika kishte ngritur një dyqan shitje në Tiranë në kompleksin tregtar “Vllazën Juma” në Rr. 28 Nëntori (që u dogj gjatë luftës së Tiranës, Nëntor 1944) dhe një tjetër dyqan luksoz në Vlorë që administrohej nga Ahmet Nurja.

Në bazë të një dekreti të posaçëm, të nxjerrë në vitin 1947 nga presidenti i R.P të Shqipërisë, pa asnjë shpërblim, fabrika në Tiranë u shtetëzua.

Ishte pikërisht kjo fabrikë që do të përgatiste plejadën e qindra punëtoreve të specializuara për të punuar në trikotazh dhe në saje të kësaj tradite kjo industri funksionoi deri vone.

Fabrika e trikotazheve të Korçës gjatë kohës së diktaturës ishte një nga më të njohurat dhe me famë në gjithë Shqipërinë./KONICA.AL/Arlinda Canaj