Hamdi Salihi është një nga futbollistët më cilësore që ka luajtur në Korçë. Sulmuesi shkodran ishte pjesë e Skënderbeut gjatë viteve 2015-2017 dhe e mbylli aventurën barhdekuqe me 48 gola të shënuar. Klubi korçar ka rikujtuar dy nga golat e 36-vjeçarit në faqen zyrtare në rrjetet sociale.
“Rikujtojmë Hamdi Salihin! Asiston Latifi, shënon Salihi… Nga 48 golat të bomberit Shkodran me fanellën bardhekuqe kemi zgjedhur dy, njërin për rëndësinë dhe tjetrin për bukurinë”, shkruan Skënderbeu. I pari u shënua kundër Milsam në vitin 2015. Skënderbeu eliminonte skuadrën moldave dhe bëhej skuadra e parë shqiptare që kualifikohej në fazën e grupeve në Europa League.
Ndeshja e parë kundër Milsam u zhvillua në transfertë dhe Salihi zhbllokonte shifrat pas një asisti të Liridon Latifit. Salihi shënonte sërish për të vulosur fitoren 0-2, teksa i njëjti rezultat u regjistrua edhe në sfidën e kthimit, aty ku shënuan Salihi dhe Progni.
Goli tjetër i zgjedhur i përket ndeshjen së Superiores kundër Partizanit. Hamdi Salihi realizonte një eurogol, një nga më të bukurit që është shënuar ndonjëherë në kampionatin shqiptar, duke lënë të shtangur Alban Hoxhën dhe duke mahnitur gjithë tifozët e pranishëm.

Ne prononcim per supersport Hamdi Salihi :
Jeni shënuesi më i mirë shqiptar i gjithë kohërave në futboll. A e dini vetë se sa gola keni shënuar në karrierën tuaj?
Dje e kam marrë vesh dhe besoj se është shifër e saktë, që janë 322 gola.
Në një moment vendosni të riktheheni te Skënderbeu, ku vijuat përtej Kupave të Europës…
Sapo kisha përfunduar kontratën me Hapoel Haifa në Izrael dhe duke komunikuar me Shehin, me Osmanin dhe djemtë që kisha shokë te kombëtarja, erdhi ky vendim. Ata ishin në fazë përgatitore në Austri dhe unë isha në Vjenë, ndaj vendosa të stërvitesha për të qenë në formë, por nënshkrova që të luaja në Kupat e Europës. Megjithatë gjërat shkuan aq mirë dhe Skënderbeu më befasoi pasi ishte një skuadër e organizuar në mënyrë perfekte dhe të rregullt, ndaj vendosa të vijoj.

Më pas erdhën golat në Europë, që ndihmuan që një skuadër shqiptare të kualifikohet për herë të parë në fazën në grupe të Europa Leagues…
Unë kohët e fundit jam pyetur shpesh, se cili ka qenë goli më i rëndësishëm, por duke parë se kualifikimi i Skënderbeut në grupet e Europa Leagues, ishte diçka historike për futbollin shqiptar, u kam thënë të gjithëve se golat kundër Milsamit janë më të rëndësishëm të karrierës, sepse ishte një moment ku bëmë krenarë dhe zgjuam çdo shqiptar, jo vetëm tifozët e Skënderbeut.
Atë sezon qëndruat dhe fituat titullin e parë në Shqipëri. Çarë ndjesie patët?
Unë një gjysmë medaljeje e kisha në fakt, pasi u largova në mes të sezonit nga Tirana, e cila në fund fitoi titullin, ndaj thashë ta çoj deri në fund me Skënderbeun. Ishte diçka e jashtëzakonshme, sepse që në ditën e parë, jam ndjerë mjaft mirë në këtë ekip dhe me çdo njeri që sillet rreth këtij ekipi. Ka qenë si një familje dhe mund të them pa frikë se atë harmoni mes lojtarëve, nuk e kam pasur në asnjë ekip tjetër.

Sezonin tjetër Skënderbeu humbi titullin pas një ndeshjeje me shumë polemika në Kukës dhe një ndër protagonistët ishit edhe ju. Të gjithë e kanë imazhin nervoz tuajin, gjatë asaj ndeshjeje, ku i rrëmbyet dhe i grisët kartonin e kuq arbitrit…
Është një nga ato ëndrrat e këqija, që i përjeton çdo njeri. Më duket shumë e çuditshme, dhe jashtë realitetit veprimi im. Më duket sikur po shikoj një njeri tjetër dhe jo sikur po e bëj unë. Mbas ndeshjes jam penduar dhe kam kërkuar falje, por veprime të tilla nuk justifikohen, por kjo tregon se në futboll shumë herë flasin emocionet e momentit dhe jo mendja e karakteri i personit.


















