Franca drejt mbylljes, izolohet Parisi dhe 8 qytete të tjera

Franca po i rikthehet mbylljes, për shkak të shifrave alarmante nga koronavirusi. Pas shpalljes së gjendjes së emergjencës, Presidenti Emmanuel Macron ka njoftuar këtë mbrëmje se njerëzit do duhet të qëndrojnë brenda shtëpive nga ora 21:00 deri në orën 06:00.Izolimi brenda këtij orari do të zbatohet në Paris dhe tetë qytete të tjera, në mënyrë që të kontrollohet përhapja e shpejtë e virusit të rëndë.

Në një intervistë televizive, Presidenti Macron njoftoi gjithashtu se duke filluar nga e shtuna Policia e Shtetit do të jetë në gatishmëri, gjë e cila do të vijojë për të paktën katër javë.Autoritetet shëndetësore në Francë bënë të ditur se në shtet për herë të parë që nga 25 qershori, janë më shumë se 9,100 persona që po trajtohen në spitalet për COVID-19.Presidenti Macron tha se kjo valë e koronavirusit ishte ndryshe nga shpërthimi në pranverë sepse virusi ishte përhapur në të gjitha pjesët e Francës.


Bllokimi gjatë natës do të zbatohet në kryeqytetin Paris dhe rrethinat e tij si dhe në Marsejë, Lion, Lille, Saint-Etienne, Rouen, Toulouse, Grenoble dhe Montpellier. Si fillim bllokimi do të jetë për 4 javë, por qeveria e Macron mund ta çojë në 6 javë. Masat ndalojnë njerëzit të vizitojnë restorante dhe shtëpi private gjatë natës.Deri tani në Francë janë regjistruar 820 mijë raste pozitive me COVID-19, ndërsa 33 mijë persona kanë vdekur si pasojë e virusit të rëndë.Në të gjithë Evropën, qeveritë po ndërmarrin kufizime të reja për të luftuar një valë të dytë të infeksioneve. Një bllokim i pjesshëm hyri në fuqi edhe në Holandë ku pas orës 22:00 kafenetë dhe restorantet do të mbyllen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.