Nga ChatGPT te prangat/ Zbulohet misteri i vdekjes së shqiptarit në Itali, arrestohen ish-gruaja dhe i dashuri…

Një 55-vjeçar shqiptar, Mikel Rroku, është gjetur i vrarë në banesën e tij në Torino, ndërsa policia italiane ka arrestuar ish-bashkëshorten e tij dhe partnerin e saj të ri, të dyshuar për përfshirje në krim. Trupi i Rrokut u gjet më 6 korrik në apartamentin e tij në zonën Lucento, pasi fqinjët njoftuan autoritetet për shkak të erës së rëndë.

Sipas hetuesve, ai dyshohet se është goditur disa herë në kokë me një objekt të fortë, ndërsa vrasja mendohet të ketë ndodhur më 30 qershor.

Të arrestuarit janë Laura Bordello, 45 vjeçe, ish-bashkëshortja e viktimës, dhe Duccio Fragiacomo, 52 vjeç, partneri i saj. Të dy ndodhen në burg, nën dyshimin për vrasje të paramenduar.

Dyshimi për motivin

Sipas hetuesve, motivi lidhet me banesën sociale ku jetonte Rroku. Dyshohet se Bordello dëshironte të jetonte aty me partnerin e ri dhe çifti e konsideronte viktimën pengesë.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu komunikime dhe kërkime shqetësuese në telefonat e të dyshuarve. Në historikun e ChatGPT-së është gjetur edhe një pyetje mbi dozën e metadonit që mund të shkaktonte vdekjen, ndërsa në një bisedë tjetër Bordello dyshohet se kishte shprehur dëshirën për të vrarë Rrokun.

Autoritetet po analizojnë telefonat, përgjimet dhe të dhënat e qelizave telefonike, të cilat dyshohet se i kanë vendosur të dyshuarit pranë banesës së viktimës në kohën e krimit.

Çifti dyshohet se kishte diskutuar edhe mundësinë e arratisjes jashtë Italisë, por plani u ndërpre pas arrestimit të tyre mëngjesin e 6 tetorit.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e vrasjes.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.