Ndahet nga jeta dirigjenti Milto Vako

Përmes një deklarate zyrtare, Teatri i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor njoftoi ndajren nga jeta në moshën 90-vjeçare të dirigjentit Milto Vako. “Ai është një nga emrat e nderuar të artin shqiptar në fushën e dirigjimit koral,” shkruhet në deklaratën me përmbledhje edhe të punës së tij ndër vite.

Milton Vako lindi në 30 Mars 1930 në Pogradec.

“Mjeshtri u diplomua në Konservatorin “Cajkovski” në Moskë si dirigjent kori dhe u specializua më pas në Konservatorin e Parisit. Aktiviteti artistik i tij nisi dekada më parë si mjeshtër i korit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe më pas si dirigjent i korit të Teatrit të Operas dhe Baletit.

Si drejtues i korit të AKVP, sëbashku me trupat ai arriti suksese të cilat kanë mbetur në memorien e publikut brenda dhe jashtë vendit edhe sot, ndër të cilat do të veçonim midis të tjerash: fitues i “Gjerdanit të Artë” të AKVP në Dijon të Francës. Si mjeshtër kori i TOB përgatiti me profesionalizëm korin e TOB në vepra si “Mrika”, (1966), “Heroina”, (1967), “Skënderbeu”, (1968), etj. Është një ndër themeluesit e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, ku së bashku me figura të tjera të njohura si Çesk Zadeja, Albert Paparisto, Hamide Stringa, Mustafa Krantja, etj., i dhanë jetë shkollës së muzikës shqiptare.

Në vitet 1991–1993 kthehet pedagog në Akademinë e Arteve. Ndërsa në vitet 1993-2001 ishte shef i katedrës së kantos e dirigjimit. Ka themeluar dhe drejtuar koret e vajzave në Akademinë e Arteve si dhe korin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ka dhënë me dhjetëra koncerte si brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me çmime të ndryshme. Është autor i shumë teksteve dhe mban titullin profesor, si dhe “Artist i merituar”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.