Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një intervistë për ”Radio Evropa e Lirë” paralajmëron një mbyllje totale të vendit. Hoti thotë se situata në Kosovë me pandeminë është tepër e rëndë dhe situata s’mund të përballohet dot. Sipas tij, qeveria do të jetë e detyruar të shkojë drejt masave ekstreme duke përfshirë mbylljen totale.

Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë dukur drastike.
I kemi ndërmarrë disa masa deri tani, disa masa pak më strikte fundjavën e kaluar dhe tani jemi duke përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke bërë disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që preken më shumë nga ndërmarrja e këtyre masave, të cilat jemi të detyruar t’i marrim.”- u shpreh ai.

Masat ekstreme që priten të merren, përfshinë mbylljen totale të vendit, karantinën e plotë të ngjashme me atë të dy muajve më parë. Ndërkohë në vendin tonë, duke filluar nga nesër fasha orare e lëvizjes së lirë do të jetë nga ora 6:00-22:00.
