Mjeku kardiolog Edvin Prifti ka fituar në Apel të drejtën për të dhënë mësim në universitetin publik të mjekësisë.Sakaq, mësohet se e drejta për të ushtruar profesionin e mjekut i është lënë ende e pezulluar deri në përfundim të hetimeve.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi pak ditë më parë sekuestro mbi llogaritë bankare të mjekut kardio-kirurg Edvin Priftit, duke i sekuestruar shumën prej 51.479.368 lekësh dhe shumën prej 177.497 Euro.
Në njoftimin e dhënë nga SPAK thuhej se ”policia gjyqësore ka kryer një hetim të thelluar financiar dhe pasuror të Priftit dhe subjekteve tregtare të krijuar prej tij. Pas këtij hetimi intensiv u grumbulluan prova që krijojnë dyshimet se Prifti ka ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore fallco me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve.
Dhe jo vetëm kaq! Nga verifikimet e llogarive bankare të Edvin Priftit apo personave fizik të regjistruar në emër të tij është konstatuar se Prifti kryente depozitime cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë”.
Mjeku Prifti u zbulua në përgjimet që çuan në pranga gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxha dhe disa punonjës së tjerë, ku dyshohet se kërkonte rryshfet kundrejt një operacioni në QSUT.
